“Ose me ne, ose kundër nesh”, SHBA kërcënon vendet që bashkëpunojnë me Iranin

Shtetet e Bashkuara po përgatisin një valë të re masash ekonomike kundër Iranit, ndërsa administrata e Donald Trump po ushtron presion mbi aleatët dhe partnerët tregtarë të Teheranit që të shkëpusin lidhjet ekonomike me të. Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, ka paralajmëruar “sanksionet më të ashpra në histori”, të cilat pritet të detajohen më 24 gusht.
Administrata amerikane e ka cilësuar fushatën e re si një “D-Day ekonomik” ndaj Iranit. Presidenti Trump ka kërcënuar se çdo vend apo subjekt që vazhdon të bëjë biznes me Teheranin mund të përballet me pasoja të rënda ekonomike. Bessent tha se Uashingtoni synon të ndërtojë atë që e përshkroi si një nga fushatat më të mëdha të koordinuara të izolimit ekonomik. Sipas tij, SHBA-ja do t’u kërkojë vendeve të tjera të zgjedhin mes bashkëpunimit me Uashingtonin ose vazhdimit të marrëdhënieve ekonomike me Iranin.
Presioni amerikan nuk pritet të kufizohet vetëm te kompanitë iraniane. Uashingtoni po shqyrton masa ndaj subjekteve të huaja që vazhdojnë të blejnë naftë iraniane, transferojnë para ose ndihmojnë në transportin dhe tregtinë me Teheranin. Në këtë kuadër, vëmendja është përqendruar te vende si Kina, Rusia dhe Turqia, të cilat kanë lidhje të rëndësishme ekonomike me Iranin. Megjithatë, Bessent nuk ka konfirmuar publikisht se cilat vende do të përfshihen konkretisht në masat e reja.
Një nga opsionet e mundshme është përdorimi i sanksioneve dytësore, përmes të cilave kompanitë dhe institucionet financiare jashtë Iranit mund të ndëshkohen nëse vazhdojnë marrëdhëniet me Teheranin. Bessent ka deklaruar se objektivi i fushatës është të dobësojë ndjeshëm ekonominë iraniane dhe të kufizojë aftësinë e Teheranit për të financuar aktivitetet e tij ushtarake dhe grupet aleate në rajon. Ai ka shkuar edhe më tej, duke thënë se presioni ekonomik synon “kolapsin” e regjimit iranian. Sipas tij, presioni ekonomik mund të zvogëlojë nevojën për një përshkallëzim të mëtejshëm ushtarak.
Masat konkrete pritet të bëhen publike të hënën, më 24 gusht, kur Bessent ka paralajmëruar një konferencë për shtyp ku do të shpjegojë planin e administratës amerikane.
/rtsh.al/