E Diel, 1 Nëntor 2026

Theu xhamin e autobusit pas konfliktit me shoferin, arrestohet 33-vjeçari në Tiranë

Një konflikt verbal mes një 33-vjeçari dhe drejtuesit të një autobusi ka përfunduar me dëmtimin e mjetit dhe arrestimin e autorit.

Ngjarja ka ndodhur gjatë pasdites së djeshme në rrugën “Muhamet Gjollesha” në Tiranë, ku 33-vjeçari Ç. K. është konfliktuar verbalisht me drejtuesin e autobusit për motive të dobëta.

Pas debatit, i riu dyshohet se ka fyer dhe kërcënuar me zë të lartë drejtuesin e autobusit, duke bërtitur dhe duke shkaktuar shqetësim në ambientet përreth. Situata më pas ka agravuar, pasi 33-vjeçari ka goditur me grushte autobusin.

Si pasojë e goditjeve janë thyer xhani i përparmë i autobusit dhe xhami i derës së tij. Pamjet e momentit të dëmtimit të autobusit janë publikuar edhe në rrjetet sociale, çka ka bërë që rasti të marrë vëmendje publike.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2 kanë nisur veprimet hetimore dhe procedurale për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin e personit përgjegjës.

Në përfundim të veprimeve, policia ka bërë arrestimin në flagrancë të 33-vjeçarit Ç. K., i cili dyshohet se është autor i dëmtimit të autobusit.

Ai po hetohet për veprat penale “Shkatërrimi i pronës” dhe “Prishja e qetësisë publike”.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për vijimin e hetimeve dhe kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›