E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Osmani: Luajtja bixhoz me aleancat cenon mbrojtjen e vendit, Serbia po synon minimin e stabilitetit

PRISHTINË, 21 nëntor/ATSH/ “Përpjekjet e Serbisë dhe përkrahësve të saj në Kremlin për ta minuar stabilitetin e brendshëm si dhe pozicionin ndërkombëtar të Kosovës sa vijnë e shtohen”, tha presidentja Vjosa Osmani në fjalimin e saj vjetor para deputetëve. Krahas kësaj, theksoi ajo, “po shtohet përkushtimi dhe mobilizimi ynë për t’i parandaluar ato”.

Osmani gjatë fjalës në Kuvendin e Kosovës foli edhe për agresionin serb në Banjskë të Zveçanit ku mbeti i vrarë rreshteri policor, Afrim Bunjaku.

“24 shtatori i vitit 2023, mëngjesi fatal në Banjskë për shkak të agresionit serb, ishte dëshmia më e qartë e kësaj. Atë mëngjes, heroi ynë, Afrim Bunjaku me shokë, i treguan Serbisë dhe dashakeqëve se Kosova nuk ka pëllëmbë toke për të falur dhe se mbrojtja e saj është betimi ynë i përjetshëm. Ende, 424 ditë më pas, nuk ka llogaridhënie e as drejtësi nga ana e Serbisë”, tha ajo para deputetëve.

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani gjatë adresimit vjetor para deputetëve të Kuvendit, ka folur për rëndësinë e ruajtjes së partneritetit me aleatë. Ajo ka thënë se dobësimi i aleancave është gabim strategjik derisa ka shtuar se “asnjëherë nuk i kam mirëkuptuar talljet që bëhen në llogari të aleatëve”.

“Historia politike na mëson se dobësimi i aleancave ose partneriteteve është një gabim strategjik, të punosh bashkë me ata që na ndihmuan ta kemi lirinë e shtetit asnjëherë nuk është nënshtrim e as shantazh. Besoj fuqishëm që forca jonë më e madhe qëndron pikërisht në partneritetin tonë, aleancat mes shteteve janë më të mëdha e më të rëndësishme sesa cilido prej nesh si politikanë apo cilado palë zgjedhjesh. Ato janë gurë themel i sukseseve tona dhe investim në një të ardhme ku Kosova do të jenë anëtare e barabartë në komunitetin euroatlantik të kombeve të lira. Aleancat janë këtu për të na mbrojtur, prandaj vënia në rrezik e tyre, luajtja bixhoz me to, apo cenimi i tyre e cenon vet mbrojtën e republikës sonë”, ka thënë Osmani.

Osmani ka shtuar se asnjëherë nuk i ka mirëkuptuar “talljet që bëhen në llogari të aleatëve”.

“Shihni deklarimet e liderëve të superfuqive botërore, do të shihni qindra deklarata e fjalime se si çdo sfidë angazhohen ta kapërcejnë bashkë me aleatë sepse nuk mund të ja dalin të vetëm. Prandaj, asnjëherë nuk kam kuptuar e as mirëkuptuar as talljet që bëhen në llogari të aleatëve sulmet ndaj tyre e as keqpërdorimin e emrit të tyre për të fituar pushtet, asnjëra e as tjetra nuk i bën nder Kosovës”, ka thënë Osmani.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kërkuar të sqarohet lidhur me deklaratat e saj mbi krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, gjatë fjalimit vjetor në Kuvend para deputetëve dhe qytetarëve.

“Kur unë kam propozuar që drafti i Asociacionit të diskutohet me SHBA që kjo të mos i lihet në dorë Lajçakut e të tjerëve që nuk besojnë në pavarësinë e Kosovës, kjo nuk ka nënkuptuar që unë kam kërkuar themelim të Asociacionit. Por ka nënkuptuar se më shumë i kam besuar vetes dhe SHBA-së sesa disa burokratëve nga shtete mosnjohëse”, ka thënë ajo.

Ajo ka folur edhe për deklaratën e disa ditëve më parë për zbatimin e njëanshëm nga Kosova të marrëveshjes së Brukselit, me garanci nga ndërkombëtarët.

“Ajo çfarë kam thënë është që nën një, zbatimi i marrëveshjes ka kuptim vetëm nëse zbatohet nga të dyja palët, dhe nën dy, si alternativë, si presidente e vendit besoj se nëse shihet përfundimisht se Serbia nuk do të zbatojë pjesën e saj të marrëveshjes – gjë që unë besoj se nuk do ta bëjë, edhe nëse e nënshkruan – atëherë ne do të duhej të diskutonim me aleatët tanë, zbatimin e pjesës sonë vetëm në shkëmbim të garancive ndërkombëtare që përfshijnë anëtarësimin në NATO e organizata ndërkombëtare, garancitë e sigurisë, si dhe mbështetje për njohje të reja”, tha ajo.

“Kam besuar që një draftstatut ku mbrohet kushtetuta, ku mbrohet sovraniteti, ku mbrohen kufijtë dhe ku mbrohet funksionaliteti i shtetit shumë më mirë hartohet nga vetë ne që kemi marr mandat ta mbrojmë Kosovën sesa nga disa ekspertë e jashtëm që kurrë nuk  kanë besuar në projektin e Kosovës së pavarur sovrane e të lirë. Fatkeqësisht ky propozim i imi atë herë ishte goditur në mënyrën më të ulët me lloj-lloj shpifjesh që kam shitur interesat e vendit e ku jemi sot jemi në momentin ku po kërkohet që draftin ta hartojmë ne. Vendimet e duhura duhet të merren në momentin e duhur. Njësoj po ndodh edhe sot me lloj-lloj shpifjesh të ulëta se kinse presidentja paska kërkuar nënshkrim të njëanshëm të marrëveshjes. Kjo është gënjeshtër”, tha presidentja Osmani.

Osmani shtoi se “Republika e Kosovës dhe qytetarët e saj qëndrojnë dhe do të qëndrojnë fuqishëm mbi vlerat e lirisë, paqes, demokracisë, përderisa institucionet tona vendore të sigurisë dhe mbrojtjes janë të përkushtuara maksimalisht që në bashkëpunim të plotë me aleatët tanë të sigurisë, të mbrojnë integritetin territorial dhe sovranitetin shtetëror, si dhe të sigurojnë zbatimin e kushtetutës dhe ligjeve e të mbrojnë jetën, pronën, lirinë dhe të drejtat e të gjithë qytetarëve tanë pa dallim”.

Sipas saj, me aleatët do të duhej të diskutohej zbatimi vetëm në shkëmbim të garancive ndërkombëtare që përfshijnë anëtarësimin në NATO dhe organizata ndërkombëtare.

/KosovaPress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›