E Hënë, 2 Nëntor 2026

KAJRO – Tutankhamoni tërheq mijëra vizitorë në Muzeun e Madh Egjiptian

KAJRO, 4 nëntor /ATSH-AFP/ – Turma vizitorësh u dyndën sot në Muzeun e Madh Egjiptian (GEM) në Kajro për të zbuluar koleksionin pothuajse të plotë të thesareve të Tutankhamonit, i cili i prezantohet publikut për herë të parë.

Një galeri e gjerë me katër nivele është ndërtuar në zemër të muzeut për të strehuar më shumë se 4 500 objekte nga varri mbretëror i zbuluar në vitin 1922 nga arkeologu britanik Howard Carter gjatë gërmimeve në Luginën e Mbretërve në Egjiptin e Sipërm.

Maska e famshme mbretërore prej ari qëndron në mënyrë të spikatur midis objekteve funerale të projektuara për të shoqëruar të vdekurit në jetën e përtejme, statuja, armë, bizhuteri, skeptra apo vegla shtëpiake.

Dy fetuse të mumifikuara të zbuluara në varrin mbretëror janë ekspozuar për herë të parë.

Mumja e Tutankhamonit ende prehet në varrin në Egjiptin e Sipërm.

Por, sarkofagu prej kuarci të kuq, që përmban tre arkivole të vendosura brenda, dhe që peshon 110 kilogramë, u ekspozua në muzeun e ri.

GEM, i cili është pajisur me një koleksion prej 100 000 objektesh, strehon gjithashtu varkën e mbretit Khufu, të ndërtuar afërsisht 4 600 vjet më parë.

Një urë e madhe për këmbësorë së shpejti do ta lidhë muzeun me kompleksin e piramidave, të vendosur më shumë se një kilometër larg në pllajën e Gizës./  /os/  /f.k/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›