E Hënë, 2 Nëntor 2026

Osmani dhe Kurti urojnë qytetarët për festën e Kurban Bajramit

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti kanë uruar qytetarët me rastin e festës së Kurban Bajramit, duke thënë se kjo festë na përkujton sa e rëndësishme është të japim e të ndajmë me njëri-tjetrin, në harmoni e me dashuri.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Osmani shkruan se Kurban Bajrami është një thirrje për reflektim mbi vlerat më të larta njerëzore dhe për forcimin e lidhjeve, dashurisë dhe mirëkuptimit ndërmjet nesh.

“Me rastin e festës së Kurban Bajramit, ju përcjell urimet më të përzemërta për paqe, harmoni dhe begati në çdo familje. Kjo festë shpërfaqë shpirtin e solidaritetit, na kujton rëndësinë e sakrificës, përkushtimit dhe ndihmës ndaj njëri-tjetrit. Në këtë ditë të veçantë, uroj që në secilën shtëpi të mbizotërojë gëzimi, shëndeti dhe dashuria. Qoftë kjo festë një burim frymëzimi për një të ardhme më të ndritur, me më shumë dhembshuri, mirësi dhe respekt të ndërsjellë”, tha Osmani.

Nga ana e tij, Kurti thekson se kjo festë po ashtu është për secilin që të angazhohet për barazinë si fill i shoqërisë, e ku begatinë dhe mirëqenien i gëzojnë të gjithë.

“Gëzuar e me fat Kurban Bajramin për të gjithë besimtarët myslimanë!. Pranë familjes, pranë të afërmve e më të dashurve tanë, e festojmë këtë ditë duke qenë zemërgjerë e duke shtuar solidaritetin. Kjo festë na përkujton sa e rëndësishme është të japim e të ndajmë me njëri-tjetrin, në harmoni e me dashuri. Andaj ajo është gjithashtu ftesë për secilën e secilin që të angazhohet për barazinë si fill të shoqërisë, e ku begatinë dhe mirëqenien i gëzojnë të gjithë. Uroj që kjo ditë t’ua gjejë zemrat e tryezat të mbushura përplot, dhe paçi mbarësi e mirësi, shëndet e lumturi sot e mot!”, shkruan Kurti.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›