Osmani takohet në New York me kongresmenin Torres: Përkushtim i tij për Kosovën, i palëkundur

Gjatë qëndrimit në New York, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka zhvilluar takim me kongresmenin Ritchie Torres.
Osmani ka shprehur mirënjohjen për Torresin duke thënë se vazhdon të ketë përkushtim të palëkundur në mbështetje të Kosovës, dhe kontribut në forcimin e partneritetit strategjik me SHBA-të.
“Gjithnjë kënaqësi të takohem me Kongresistin Ritchie Torres, kësaj radhe në New York. Mirënjohës për përkushtimin e tij të palëkundur në mbështetje të Republikës së Kosovës dhe për kontributin e vazhdueshëm në forcimin e partneritetit tonë strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka shkruar presidentja Osmani.
Gjithashtu, Osmani është takuar me të ngarkuarën me punë të Misionit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në OKB, ambasadoren Dorothy Shea, me të cilën ka diskutuar për avancimin e mëtejmë të marrëdhënieve të Kosovës me SHBA-në.
“Mirënjohëse për riafirmimin e qartë të Shteteve të Bashkuara se Kosova mbetet partner i ngushtë strategjik i SHBA-ve dhe se aleatët tanë amerikanë janë fuqimisht të përkushtuar për anëtarësimin e plotë të Kosovës në Kombet e Bashkuara”, ka shkruar Osmani.
Osmani shprehet se në takimin me ambasadoren Dorothy Shea, kanë diskutuar edhe për avancimin e mëtejshëm të marrëdhënieve strategjike ndërmjet Kosovës dhe SHBA-ve.
/rtsh.al/