E Hënë, 2 Nëntor 2026

Osmani takon kreu e KQZ në Kosovë: Serbia po ndërhynë në zgjedhjet lokale, mbroni votën e lirë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka akuzuar Serbinë se po ndërhyn drejtpërdrejt në zgjedhjet lokale që do të mbahen më 12 tetor në të gjitha komunat e vendit.

Në prag të procesit zgjedhor, Osmani priti në takim kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, ku theksoi rëndësinë e zhvillimit të një procesi të qetë, të rregullt dhe me integritet të plotë, si themel i demokracisë dhe besimit të qytetarëve në institucione.

Ajo dënoi ashpër ndërhyrjet e Beogradit zyrtar dhe u apeloi aktorëve politikë, institucionalë dhe ndërkombëtarë që të kontribuojnë në garantimin e votës së lirë.

“Presidentja Osmani theksoi rëndësinë e zhvillimit të një procesi zgjedhor të qetë, të rregullt dhe me integritet të plotë, si themel i demokracisë dhe i besimit të qytetarëve në institucionet e vendit. Në këtë takim, Presidentja Osmani vuri theks të veçantë tek ndërhyrjet e drejtpërdrejta që po bën Serbia në zgjedhjet lokale, një dukuri e përsëritur ndër vite, e cila po manifestohet përmes blerjes së votës, ndërhyrjeve të jashtme, frikësimit dhe dhunës.

Me këtë rast, Presidentja dënoi ashpër ndërhyrjet e Beogradit zyrtar, duke bërë thirrje për angazhim të plotë në mbrojtje të integritetit të procesit zgjedhor. Ajo gjithashtu u bëri apel të gjithë aktorëve politikë dhe institucionalë, si dhe atyre ndërkombëtarë, që të kontribuojnë në mbrojtjen e votës së lirë dhe të dënojnë çdo akt të jashtëligjshëm që cenon vullnetin demokratik të qytetarëve të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Presidencës së Kosovës.

Më herët edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, akuzoi Serbinë për ndërhyje në zgjedhjet lokale dhe kërkoi nga BE që të merrte sanksione ndaj veprimeve të tilla, ku siç tha ai “dëmtojnë sovranitetin dhe demokracinë”.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›