PAKISTAN – Zardari: Sulmet me dronë të talebanëve kalojnë vijën e kuqe

ISLAMABAD, 15 mars /ATSH/- Presidenti i Pakistanit, Asif Ali Zardari, paralajmëroi qeverinë talebane të Afganistanit se kishte “kaluar vijën e kuqe” duke ndërmarrë sulme me dronë ndaj zonave civile në Pakistan, sipas AP.
Deklarata erdhi disa orë përpara se Pakistani të kryente sulme ndaj një objekti ku dyshohet se ruheshin dronë në territorin afgan.
Përplasjet mes dy vendeve të Azisë Jugore janë intensifikuar dhe konsiderohen si ndër më të përgjakshmet në vitet e fundit. Konflikti ndërkufitar shpërtheu në fund të muajit të kaluar dhe deri tani nuk ka shenja uljeje të tensioneve, pavarësisht përpjekjeve të Kinës dhe Turqisë për të ndërmjetësuar një armëpushim.
Autoritetet pakistaneze thanë se forcat e tyre arritën të interceptojnë dronët e lëshuar ndaj zonave civile. Megjithatë, copëzat e tyre që ranë në tokë plagosën dy fëmijë në qytetin Quetta dhe dy persona të tjerë në zona të ndryshme të vendit.
Sipas medieve shtetërore pakistaneze, forcat ajrore të Pakistanit ndërmorën sulme në mesnatë në provincën Kandahar në jug të Afganistanit. Objektivi ishte një instalacion ushtarak që dyshohet se ishte përdorur për të lëshuar dronë drejt Pakistanit një ditë më parë.
Autoritetet pakistaneze pretenduan gjithashtu se objekti përdorej nga talebanët afganë dhe nga militantë të lidhur me talebanët pakistanezë për të kryer akte terroriste në territorin e Pakistanit. Sipas televizionit shtetëror, sulmet synonin të dërgonin një mesazh të qartë se territori afgan nuk mund të përdoret për sulme ndërkufitare kundër Pakistanit.
Deri tani nuk ka pasur një reagim të menjëhershëm nga autoritetet në Kabul lidhur me sulmet e fundit në provincën Kandahar. /Ad.Ab./