PAMJE TË RËNDA/ Kush është personi që dhunon banorët në Rrjoll e më pas ‘merret në mbrojtje’ nga Policia?

Vijojnë protestat e banorëve të Baks-Rrjollit, të cilët prej më shumë se tre javësh po kundërshtojnë ndërtimin e një resorti nga oligarku Bashkim Ulaj në tokat për të cilat pretendojnë se kanë pronësinë.
Por ditën e sotme, përplasjet nuk kanë ndodhur vetëm me policinë por edhe me persona civilë që dyshohet se janë punonjës të një “security” privat.
Madje, sipas banorëve dhe disa mediave, personi që shihet në videon e mëposhtme duke dhunuar banorët është punonjësi i ‘Berçani Security’.
Sipas pamjeve, personi në fjalë ka goditur me grushte disa prej banorëve gjatë përplasjes.
Por ajo që ka shkaktuar edhe më shumë zemërim është fakti se, pas incidentit, ai është larguar nga zona nën mbrojtjen e policisë.
Banorët e konsiderojnë këtë njëanshmëri të hapur dhe mbrojtje të interesave private në kurriz të qytetarëve që protestojnë.
Ata kërkojnë hetim të menjëhershëm të ngjarjes dhe përgjegjësi konkrete për aktin e dhunës, duke theksuar se askush nuk duhet të jetë mbi ligjin, as punonjësit e sigurisë private, as ata që i mbështesin.