E Shtunë, 31 Tetor 2026

PBDNJ, Solis: OMONIA nuk protestoi për MSA

Nga Tedi Blushi
Sipas sekretarit të përgjithshëm të kësaj partie, Leonard Solis, “asnjë prej protestuesve jashtë parlamentit grek që kundërshtonin ratifikimi e MSA-së mes Shqipërisë, nuk ka qenë i OMONIA-s, por neonaziste greke 

TIRANE-Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut mohon kategorik isht pjesëmarrjen e anëtarëve të OMONIA-s në protestën e organizuar dy ditë më parë para Parlamentit grek për mosratifikimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian. Sipas sekretarit të përgjithshëm të kësaj partie, Leonard Solis, “asnjë prej protestuesve jashtë parlamentit grek që kundërshtonin ratifikimi e MSA-së mes Shqipërisë, nuk ka qenë i OMONIA-s”. Në një prononcim të djeshëm për mediat, ai ka shtuar se për këtë pohim ka marrë garancitë nga kryetari i organizatës minoritare, Vasil Bollano. Sipas Solisit, të rreth 200 protestuesit para Parlamentit grek kanë qenë të organizatës neonaziste greke, “Krisi Avgi”. “Përgënjeshtroj dhe shpifjet dashakeqe të mbajtura ndaj organizatës OMONIA, sikur ajo organizatë nuk ka qenë dakord dhe ka bërë presionet e saj për mosratifikimin e kësaj marrëveshjeje. Ata persona jashtë Parlamentit grek kanë qenë të disa organizatave ekstremiste, që nuk kanë të bëjnë fare me qëndrimin e OMONIA-s”, - deklaroi sekretari i përgjithshëm i PBDNJ-së. Megjithatë, pa u mbushur mirë as 24 orë nga bërja publike e lajmit se Parlamenti grek do të merrte në shqyrtim MSA-në me Shqipërinë, organizata e minoritetit grek në Shqipëri, OMONIA si edhe një sërë shoqatash pan-helenike që mbrojnë kauzën antishqiptare të Vorio-Epirit, paralajmëruan protesta në Athinë. Përmes një deklarate të përbashkët për shtyp, ato ftuan, sikundër citojmë, “të gjithë grekët që në datën 14 janar të organizohen në një tubim paqësor para godinës së Parlamentit grek për të informuar deputetët mbi dhunën e shtetit shqiptar mbi grekët e Vorio-Epirit, si edhe për gjendjen e mjeruar në të cilën ata ndodhen”. Madje, ka qenë pikërisht shoqata OMONIA e drejtuar nga Bollano, që i kërkoi Athinës zyrtare përmes një letre zyrtare drejtuar më 29 nëntor ’08, të mos ratifikonte MSA-në me Shqipërinë deri në njohjen e autonomisë së Vorio-Epirit. Fakt ky, i pohuar edhe nga vetë deputetët e Partisë Ultranacionaliste greke, LAOS në seancën plenare të Parlamentit grek. Greqia ishte vendi i fundit i BE-së që e ratifikoi dy ditë më parë MSA-në me Shqipërinë, duke mbyllur kështu këtë procedurë.
Karamelo
Kryetari i Partisë Lëvizja për Liritë dhe të Drejtat e Njeriut, Ligoraq Karamelo kritikoi dje rolin aktual që po luan organizata e minoritetit grek. “OMONIA duhet të jetë shoqatë përfaqësuese e interesave të të gjithë minoritarëve grek, pa dallime partiake e krahinore. Njëkohësisht, duhet të jetë kërkuese konstante e respektimit të Kushtetutës së Shqipërisë dhe e Dokumenteve Ndërkombëtare për të Drejtat e Liritë e Njeriut”, - tha Karamelo. Sipas tij, OMONIA aktuale flet vetëm prapavijën e një partie politike dhe shërben si fasadë e saj. “Konfondimi i OMONIA-s me PBDNJ-në shtron në mënyrë urgjente alternativën për reformimin dhe demokratizimin e kësaj organizate”, - apeloi kreu i LLDNJ-së.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›