E Diel, 1 Nëntor 2026

PBKD: Përshëndesim ligjin antimafia që miratoi Kuvendi, madje është i vonuar

Tiranë, 4 dhjetor, NOA - Partia e Ballit Kombëtar Demokrat me anë të një deklarate ka përshëndetur miratimin e ligjit antimafie të miratuar dje nga Kuvendi i Shqipërisë, duke e cilësuar gjithsesi një ligj goxha të vonuar në kohë.

Ky ligj duhet të ishte miratuar nga parlamenti i parë pluralist, sepse mafia ekonomike ndodhet në Shqipëri që nga viti 1945, thuhet në deklaratën e PBKD.

Sipas saj, abuzimet e mafies komuniste me pronat e shqiptarëve u zhvilluan në dy faza: në fillim ajo shpronësoi pronarët e ligjshëm dhe kolektivizoi gjithçka, ndërsa pas rrëzimit të sistemit politik komunist, ish-komunistët, duke shfrytëzuar influencat e pushtetit që kishin, u lëshuan drejt pushtetit ekonomik.

Pas kryengritjes komuniste të vitit 97, socialistët e kthyen grabitjen e pronave, korrupsionin dhe monopolet në sistem politik, citohet më tej.

Në këtë kuadër, PBKD mendon se përveç abuzimeve me pronat, u duhet kushtuar më shumë vëmendje monopoleve ekonomike që u krijuan gjatë qeverisjes socialiste.

PBKD ka bindjen se procesi i dekomunistizimit të shoqërisë do ta lehtësonte shumë luftën kundër mafies dhe monopoleve ekonomike. Tentativa e komunistëve të rinj për të ardhur në pushtet me dhunë, nuk ka asnjë motiv veç  interesave materialiste të klikës udhëheqëse, përfundon kjo deklaratë.

n.e/NOA

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›