Kuvend, Klosi: Mund të futemi vetëm për të bërë betimin
Sekretari Organizativ i PS-së, Blendi Klosi, flet për lëvizjen e opozitës
TIRANË- Mandatet e deputetëve socialistë nuk do të digjen. Në një ardhme, jo shumë të largët, opozita mund të shqyrtojë mundësinë e futjes në Kuvend, për të bërë betimin dhe më pas vijimin e betejës së saj për transparencën zgjedhjeve të 28 Qershorit.
Sekretari Organizativ i PS-së, Blendi Klosi, ka deklaruar dje për herë të parë që nga fillimi i legjislaturës së re të Kuvendit, se grupi parlamentar i PS-së mund të hyjë në Kuvend brenda 7 Marsit për t'u betuar dhe më pas do të vazhdojë ta bojkotojë deri në plotësimin e kërkesave të Partisë Socialiste.
"Ne e kemi thënë që nuk e njohim këtë parlament, por mund të hyjmë të bëjmë betimin dhe të vazhdojmë betejën", - është shprehur mbrëmë Klosi gjatë një interviste televizive.
Kjo është hera e parë që një zyrtar i i lartë i PS-së artikulon mundësinë e futjes në Kuvend, por vetëm për të shpëtuar mandatet. Prej kohësh nga opozita është artikuluar siguria se mandatet e tyre nuk do të digjen. Futja ne Kuvend vetëm për të bërë betimin është pikërisht një nga zgjidhjet që opozita mendon se mund të realizoje për të shpëtuar ligjërisht këto mandate.
Nga ana tjetër, Partia Demokratike ka kërcënuar se deputetët e kësaj force politike do të zëvendësohen më të tjerë kandidatë të po të kësaj force, që ndodhen më poshtë listës. Pak kohë më parë, Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli deklaroi se mbi deputetët do të veprojë Kushtetuta.
Ndërsa kryeministri Sali Berisha i pyetur pikërisht për këtë çështje, në një nga daljet e tij mediatike, u përgjigj: "Uroj që të vijnë të gjithë në parlament, por nëse ka ndonjë që do të qëndrojë me liderët sterilë për sa u përket votave, le të qëndrojë me ta. Është zgjidhja e tij, jo e imja. Por Kushtetuta dhe ligji, në mënyrë absolute, do të zbatohen".