E Diel, 1 Nëntor 2026

PD, 7 muaj përpara zgjedhjeve pa nënkryetar dhe sekretar të zgjedhur

Fatjona Mejdini

Stafi drejtues, me mandat të skaduar dhe angazhime në ekzekutiv

Fatjona Mejdini

Kryeministri Sali Berisha, duke folur gjate mbledhjes se Keshillit Kombetar te PDPartia Demokratike ende nuk ka vendosur asnjë datë në të cilën do të mbledhë Këshillin Kombëtar për të zgjedhur nënkryetarët e rinj dhe sekretarët e partisë, mandati i të cilëve ka përfunduar rreth tre vite më parë. Pavarësisht se partitë politike në vend kanë nisur prej kohësh dhe rifreskimin e strukturave të tyre si pasojë dhe e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013, lidershipi i PD-së duket se është përqendruar në qeverisje duke mos u angazhuar në ristrukturimin e brendshëm të partisë. Partia më e madhe në mazhorancë ende nuk ka zgjedhur ekipin organizativ, i cili do të jetë në krye të punëve për sa i përket procesit zgjedhor të 2013-s, i konsideruar si tepër i rëndësishëm dhe për faktin se PD kërkon një mandat të tretë qeverisës. Aktualisht, në selinë e PD-së është e pamundur të gjesh një zyrtar i cili merret me kohë të plotë me organizimin e brendshëm të partisë, pasi edhe sekretarët dhe nënkryetarët e partisë janë të angazhuar me detyra të rëndësishme në ekzekutiv. Kjo duket dhe në fushatën e re të nisur nga PD për rritjen e numrit të të rinjve në këtë parti, ku vetë Kryeministri Berisha dhe të zgjedhur lokalë të PD-së janë personat që paraqiten në krye të kësaj fushate.

Angazhimet

Aktualisht, drejtuesit kryesorë të PD-së, përveç faktit se nuk kanë një mandat të rifreskuar nga strukturat e partisë, duket se nuk kanë dhe shumë kohë për të bërë organizimin e brendshëm. Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, që prej vitit 2005 është ministri i Financave, Ridvan Bode. Nga ana tjetër, një nga nënkryetarët e PD-së është Astrit Patozi, i cili është i angazhuar dhe në drejtimin e grupit parlamentar të Partisë Demokratike. Po kështu, Jozefina Topalli, e cila është nënkryetare në PD është njëkohësisht dhe Kryetarja e Parlamentit Shqiptar. Por dhe sekretarët e PD-së kanë pozicione të rëndësishme brenda ekzekutivit shqiptar. Së fundmi, sekretari organizativ i PD-së, Flamur Noka, u emërua dhe në pozicionin e rëndësishëm të ministrit të Brendshëm.

Shkeljet

Moszgjedhja e nënkryetarëve të rinj të PD-së dhe po kështu aparatit të sekretarëve në parti në një kohë kur kanë kaluar rreth tre vjet nga koha e përfundimit të mandatit të tyre është një shkelje e statutit të PD-së. Nga ana e tij, Kryeministri Berisha e ka ripërtërirë mandatin e tij si kryetar i PD-së në mënyrë ligjore në fund të vitit 2009, por ky proces nuk ka vazhduar dhe për sekretarët dhe nënkryetarët e partisë më të madhe të mazhorancës.

Detaje

Selia - Aktualisht, në selinë e PD-së, asnjë nga zyrtarët nuk punon me kohë të plotë si pasojë e angazhimeve në ekzekutiv.

Drejtimi - Kryeministri Berisha është shfaqur ditët e fundit në krye të fushatave të reja të anëtarësimit që ka ndërmarrë PD në rrethe të ndryshme.

FRD - Forumi Rinor i PD është treguar më aktiv se pjesa tjetër e strukturave të PD-së për sa i përket punës organizative.

Entuziazmi

Kryesia e PD-së, Basha më i votuari

Lulezim BashaPartia Demokratike në mesin e vitit 2011 zgjodhi dhe kryesinë e saj qendrore, duke marrë shtysë dhe nga përfundimi i procesit zgjedhor lokal, i mbajtur në maj të vitit të shkuar. Fitorja e Bashkisë së Tiranës nga ana e Lulzim Bashës, duket se bëri të mundur në korrikun e vitit të shkuar dhe zgjedhjen e tij në krye të kryesisë së PD-së, duke marrë një numër maksimal votash. Por Basha është shprehur në mënyrë të qartë se ai nuk do të jetë pjesë e garës së re në PD për sa i përket zgjedhjes së sekretarëve apo nënkryetarëve të partisë.

PD, 7 muaj përpara zgjedhjeve pa nënkryetar dhe sekretar të zgjedhur burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›