PD, Bogdani: Rama, avokat i kupolës së mafies
PD-ja akuzoi dje kryesocialistin Edi Rama për avokatinë ndaj kupolës së mafies që po mban peng PS-në jashtë Parlamentit. Deputeti dhe kreu i Forumit Rinor të PD-së, Gerti Bogdani, denoncoi dje faktin që, sipas tij, Edi Rama vazhdon avokatinë e tij ndaj mafies, me kupolën e të cilës ka ndarë 500.000 metër katrorë sipërfaqe ndërtimi në zemër të Tiranës e përreth saj, me të cilën ka ndarë tokat publike të qytetit të Tiranës dhe me të cilët po mban peng Partinë Socialiste jashtë Parlamentit. “I tronditur nga beteja ligjore kundër mafies, njeriu që ka ndërtuar pallatet e tij mbi rrugët e qytetit, njeriu që miratoi qytezën Rama-Delijorgji me 52 pallate, që 70% të lejeve të ndërtimit i merr për vete nëpërmjet Eftimit dhe Ledi Lejes, tani ndërsen çakejtë e tij çdo ditë për të denoncuar luftën, pa ngjyra politike, të z. Berisha kundra mafies. Madje, shpreh dhe shqetësimin pse Berisha paska kërkuar mbështetjen e PPE-ve (Partive Popullore Evropiane) në këtë luftë”, - u shpreh z. Bogdani. Ai i bëri të ditur z. Rama se në këtë betejë, z. Berisha është i vendosur të bëjë luftë me tolerancë 0 ndaj mafies pa asnjë dallim politik dhe se ka marrë mbështetjen e fuqishme nga aleatët e tij të PPE-ve, të cilët duartrokitën zotimin e Berishës në kongresin e Bonit për të vazhduar këtë luftë me tolerancë 0.