E Enjte, 5 Nëntor 2026

PD, Hoxha: Prokuroria të nisë hetimin për situatën e krijuar në Vlorë

TIRANË, 5 tetor /ATSH/ Partia Demokratike, dega Vlorë, ka reaguar për përmbytjet dhe dëmet e shkaktuara në qytetin bregdetar.

Kryetari Atird Hoxha, i bëri thirrje Prokurorisë që të nisë hetimet, pasi sipas tij nuk janë marrë masat e duhura dhe s’ka pasur reagim në kohë duke krijuar edhe këtë situatë të rëndë në qytetin e Vlorës.

“Përmbytjet e fundit që kanë goditur qytetin tonë kanë sjellë pasoja të rënda për shumë familje dhe pronat e tyre. Fatkeqësisht, këto ngjarje të rënda dhe të përsëritura janë pasojë e mungesës së investimeve të qëndrueshme në infrastrukturën urbane dhe planifikimin afatgjatë nga ana e bashkisë dhe qeverisë së Rilindjes”, tha ai.

Sipas tij, qyteti nën ujë, është një tregues i qartë i papërgjegjshmërisë në menaxhimin e tij. Përfundimisht, shtoi Hoxha, “kjo qeveri, ky model nuk kanë më turp e cipë dhe nuk duan të dinë më për qytetin e qytetarët. Mungesa e energjisë elektrike në të gjithë qytetin për orë të tëra ka përkeqësuar gjendjen në shumë zona për shkak të mosfunksionimit të sistemeve”.

Hoxha nënvizoi se, Vlora dhe vlonjatët nuk e meritojnë këtë.

“Në këto kushte Partia Demokratike Dega Vlorë i bën thirrje Prokurorisë të nisi menjëherë hetimin për situatën e krijuar në qytetin tonë pasi është e qartë se nevoja për masa paraprake dhe efektive nuk është përmbushur, duke lënë qytetin të pambrojtur e në mëshirën e fatit”, u shpreh ai.

/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›