PD: Konsenus për ndryshime kushtetuese për të gjitha çështjet!

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Alfred Rushaj deklaroi sot në mbledhjen e përbashkët të Këshillit për Legjislacionin dhe Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut se, “PD mbështet arritjen e konsenusit për ndryshime kushtetuese për të gjitha çështjet”.
“Kushtetuta është një marrëveshje e madhe politike dhe shoqërore ndaj ecja me dy korsi të ndryshme për një ligj që quhet Kushtetuta, nuk është rruga e duhur për të arritur këtë konsensus”, tha Rushaj.
Ai tha se “për të mos ngelur me këtë çështje, PD do të propozojë data të tjera të diskutimit të nismës tonë”.
“Por dua t’ju them përsëri që nuk kemi ndërmend që në fund fare të bëjmë seanca të ndryshme plenare për të miratuar sot një ndryshim të nenit të Kushtetutës dhe nesër një tjetër. I hapim rrugë diskutimeve, por propozimi jonë është që pas datës së sotme, në 17 nëntor, 24 nëntor, 30 nëntor e në vijim të shqyrtohet nisma jonë”, tha Rushaj.
Ky propozim u mbështet edhe nga anëtarët e mazhorancës në këtë mbledhje.
Në mbledhjen e sotme u miratuan po ashtu edhe propozimet e Partisë Demokratike për caktimin e Enkelejd Alibeajt si relator dhe Jordan Dacit si ekspert.
Po ashtu, u miratua edhe propozimi i LSI-së për caktimin e Silva Cakës si eksperte dhe propozimi i Partisë Republikane për caktimin e Arjan Madhit si ekspert.