E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD-LSI: Zgjedhja e Presidentit, dakordësi për një proces kushtetues

25-05-2012 / Gazeta 55

Kryeministri Berisha nis takimet me aleatët


UPDATE- Synojmë një proces civil, të qytetëruar, të përgjegjshëm dhe kushtetues. Ky ishte konstatimi i bërë publik nga Kryeministri, Berisha pas përfundimit të takimit mes tij dhe kreut të LSI-së, Ilir Meta. “U ra dakord që të bëhen përpjekje që Presidenti i ri të zgjidhet me një konsensus sa më të gjerë. U shpreh besimi se kjo është një mundësi reale. Njëkohësisht, u ra dakord që të vazhdojnë takimet intensive që të bëhet sa më e shpejt e mundur që vendi të ketë kryetarin e shtetit të merituar. Vullneti i kësaj mazhorance konsiston në faktin që në raundin e parë të ketë kandidatë seriozë, dinjitozë, që mund të nderojnë vendin në detyrën e tij”, vuri në dukje kreu i qeverisë shqiptare. Njëkohësisht, shefi i mazhorancës bëri me dije se në vijim të këtyre takimeve do të zhvillojë një bisedë të posaçme me kreun e PS-së si dhe me atë të PBDNJ-së. Ndërsa sa u takon takimeve të tjera po në këtë kuadër, Kryeministri Berisha ftoi Ramën që të mandatojë dy bashkëpunëtorë të tij që të negociojnë me përfaqësuesit demokrat, sa i takon procesit për zgjedhjen e presidentit.


Ilir Meta


Gjithashtu dhe kreu i LSI-së, Ilir Meta në prononcimin e tij për shtyp pas përfundimit të takimit me Berishë, vlerësoi si mjaft të rëndësishëm zhvillimin e një procesi konsensual dhe të gjithë pranuar. “Kemi nënvizuar rëndësinë që zgjedhja e presidentit është një moment kulmor i një procesi që ndihmon vendin, reformat, të cilat janë të rëndësishme për integrimin. Në këtë drejtim në shprehëm gatishmërinë për një proces kushtetues, konsensual, si dhe të bëhen përpjekjet që zgjedhja e kreut të ri të shtetit të bëhet që në seancën e parë. Nuk kemi biseduar për emra konkret, por lidhur me procesin. Njëkohësisht nuk paragjykojmë se nga cila anë vijnë emrat, por kërkojmë që procesi i zgjedhjes të jetë konsensual, kushtetues dhe gjithëpërfshirës”, vlerësoi meta, gjatë fjalës së tij. Në këtë takim Meta u shoqërua nga dy nënkryetarët e LSI-së Petrit Vasili dhe Edmond Haxhinasto, ndërsa Kryeministri Berisha nga kreu i grupit parlamentar demokrat, Astrit Patozi dhe deputeti Edmond Spaho. Po sot kryeministri Berisha do të takojë kreun e PDIU-së, Shpëtim Idrizi, e më pas kryetarin e PR-së, Fatmir Mediu.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›