PD: Mijëra martirë të gjallë të lirisë, asgjë të përbashkët me trafikantë, amoralë dhe gjobëvënës
Sot kreu i neobllokmenëve dhe kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama derdhi lot krokodili për grevistët e grevës së tij personale dhe aleancës së tij Rama – Tufa – Patrioti nën moton “Të bashkohemi me çdo fundërrinë për të përmbysur qeverinë se ndryshe nuk vijmë dot në pushtet”.
Ndërkohë deklaroi haptas se ai do të anulojë ligjin e dëmshpërblimit siç bëri kur ishte në pushtet.
Në emër të aleancës së re, kryetari i Partisë Socialiste në një histeri të papërmbajtur në Kongresin e Grave Socialiste, u bë avokat i zjarrtë i Tufës së dënuar 7 vjet për trafik të vajzave dhe grave shqiptare dhe Patriotit të tij amoral e gjobëvënës.
Duke dënuar me përçmim avokatinë e neveritshme të kryetarit të Partisë Socialiste ndaj Tufës, Patriotit dhe aleatëve të tjerë si ata, Partia Demokratike deklaron se dhjetëra mijëra martirë të gjallë të lirisë, viktima të shtypjes së egër të etërve mizorë të Edi Ramës, nuk i bashkon asgjë me aleatët e rinj të Edi Ramës.
Martirët e gjallë të lirisë nuk kanë asgjë të përbashkët me ata që me urdhër të Ramës në një akt terrorist ndaj ëndrrës së tyre evropiane, i vënë flakën tjetrit me çrregullime psikike ditën që do të vendosej rekomandimi i Komisionit Evropian për statusin e kandidatit për Shqipërinë, kurse vetë këta kriminelë me tre emra që djegin për qëllime politike njerëz të gjallë, jetojnë në vila luksoze në Korfuz.
Martirët e gjallë të lirisë nuk kanë asgjë të përbashkët me ata të cilët nga shumica aktuale dhe qeveria e mëparshme e Partisë Demokratike kanë marrë mbi 60 mijë Dollarë për person dhe mashtrojnë para kamerave se nuk kanë marrë asgjë dhe kjo se kështu porositen, apo vetëm e vetëm se kanë shitur pasuritë e marra për bixhoz.
Martirët e gjallë të lirisë, nuk kanë asgjë të përbashkët me mashtrues ordinerë që shpërblehen me mbi 1 mijë Euro në muaj për azil politik në vende mike dhe para kamerave deklarojnë se po vdesin nga mjerimi.
Partia Demokratike i deklaron z. Rama se ti me të përndjekurit politik ke vërtetë lidhje të ngushta, por ato janë lidhjet e firmës së babait tënd biologjik për varjen e tyre në litar apo pushkatimin e tyre dhe kjo edhe pas rënies së Murit të Berlinit.
Po Zoti Rama!
Lidhjet tuaja me të përndjekurit politik janë lidhje tmerri sepse ato janë lidhjet e dajës tënd, xhelatit të inteligjencës teknike shqiptare Spiro Koleka që në dhjetor të vitit ‘90 do të bënte thirrje të hapur për gjakderdhje për të mos dorëzuar pushtetin.
Lidhjet e neobllokmenit Edi Rama me të përndjekurit politik janë cinike dhe poshtëruese ndaj tyre.
Ato janë lidhjet e lirimit nga burgu dhe dëmshpërblimit të xhelatëve të tyre si Ramiz Alia, Nexhmije Hoxha, Aranit Çela, Simon Stefani, Rapi Mino etj…, etj…, dhe anulimi i plotë i dëmshpërblimit të viktimave të regjimit të etërve tuaj.
Partia Demokratike pohon edhe një herë se dëmshpërblimin e të përndjekurve politikë e konsideron si detyrimin më madhor, ligjor, moral të saj dhe shoqërisë së lirë shqiptare dhe në këtë kuadër informon edhe një herë shqiptarët se gjatë viteve që ajo ka qenë në pushtet:
1- Ka miratuar ligjin me tarifat më të larta të dëmshpërblimit në Evropën ish-komuniste prej 18.6 Dollarë për ditë burgu.
2- Ky ligj parashikon pagesën e plotë me këste brenda vitit 2017 të detyrimeve të shoqërisë shqiptare ndaj të përndjekurve të ndërgjegjes.
3- Deri sot për dëmshpërblimin e kësaj shtrese lek dhe lek privatizimi janë dhënë 103 milion Dollarë;
Ka përfunduar dhënia e këstit të parë dhe brenda këtij viti përfundon plotësisht dhënia e këstit të dytë.
Sqarojmë këtu se ligji parashikon pagesën e plotë me këste brenda vitit 2017 të detyrimeve ndaj të përndjekurve të ndërgjegjes.
4- Për strehimin e të përndjekurve të lirisë janë dhënë 2 mijë e 200 apartamente banimi dhe ndër ata që kanë përfituar janë edhe grevistët e Ramës, Tufa, Karamuça Valteri etj, por që i kanë shitur edhe për bixhoz.
5- Për vlerësimin e lekëve të privatizimit janë privatizuar nga përfaqësues të kësaj shtrese 2 mijë e 751 ndërmarrje, fabrika, linja prodhimi, hotele turizmi dhe objekte të tjera industriale. Ndër ata që ka përfituar është edhe njeriu që Rama zgjodhi për të djegur ditën e vendimit për statusin e vendit kandidat dhe miliarderja e kupolës së Partisë Socialiste Bazhdari.
6- Nga viti 1992 deri sot kanë përfituar të drejta studimi bursa ose pagesa të tarifës në universitetet e vendit mbi 22 mijë djem dhe vajza të kësaj shtrese bazuar në kriterin e përndjekjes politike të familjarëve të tyre.
7- Në përputhje me ligjin vitet e vuajtjes së dënimit janë llogaritur si vite pune për efekte pensioni dhe në çdo rast është lidhur pensioni përkatës.
Partia Demokratike nuk habitet aspak për deklaratën e Ramës se ai do të anulojë ligjin e dëmshpërblimeve për të përndjekurit politik njësoj siç bënë 8 vite të pushtetit të tyre.
Partia Demokratike garanton të gjithë martirët e gjallë të lirë se mirënjohëse me qëndresën e tyre mbinjerëzore ajo në përputhje me ligjin e miratuar së bashku me ta, do të shlyejë brenda afateve ligjore detyrimin madhor, moral dhe ligjor të shoqërisë shqiptare ndaj tyre dhe se pushteti i neobllokmenëve nuk do të restaurohet më!