E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: “Të mos pengohet integrimi, është sfidë në shërbim të qytetarëve”

19-10-2012 / Gazeta 55

Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, në Fier


Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, në vazhdimësi të turit të tij për anëtarësime të reja dhe takimeve me struktura të LSI nëpër rrethe është ndalur në qarkun e Fierit. Gjatë fjalës së tij Meta ka apeluar dhe një herë forcat politike të mos e pengojnë marrjen e statusit kandidat. Në këtë kontekst ai ka kërkuar bashkëpunim mes palëve për realizimin e tre reformave, kusht për marrjen e statusit kandidat në dhjetor, ndërsa u bëri thirrje subjekteve politike të lënë mënjanë interesat e ngushta vetjake dhe të përqendrohen në objektin kryesor kombëtar, integrimin e vendit. “Është për të ardhur keq që rekomandimi pozitiv i këtij statusi nga ana e Komisionit Europian ende kërkon një angazhim që duhet të ishte përmbushur me kohë, nga të gjitha forcat politike në Parlament për miratimin e disa projektligjeve të cilat janë gati, të cilat janë të standardeve europiane. Por, ne përsëri apelojmë që urgjentisht gjithë forcat politike në Parlament të përmbushin këto detyrime, të mos bëhemi pengesë për marrjen e statusit të vendit kandidat në dhjetor, pasi kjo është një aspiratë e të gjithë qytetarëve shqiptarë pavarësisht nga përkatësitë partiake”, theksoi Meta. Meta është ndalur edhe tek zgjedhjet elektorale 2013, ku deklaroi se LSI në prag të procesit elektoral është më e fortë se kurrë, ndërsa ka përcaktuar si objektiv kryesor pikërisht qarkun e Fierit, pas kryeqytetit të vendit. “Fieri është objektiv i rëndësishëm, i dyti pas Tiranës. Fieri është qark i rëndësishëm ekonomik dhe me perspektivë të madhe. LSI do të nxisë politikat e punësimit në Fier dhe për realizmin e objektivave nevojitet angazhim i çdo anëtari. LSI është forcë kryesore për marrjen e statusit kandidat në BE”, nënvizoi Meta. Këto deklarata Meta i bëri gjatë takimit me strukturat e LSI dhe LRI në Fier, ku në përfundim shpërndau edhe kartat e anëtarësimit për 300 anëtarë të rinj në LSI.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›