E Diel, 1 Nëntor 2026

PD: Qeveria mban peng zgjedhjet në Rrogozhinë, presidenti të dekretojë datën

TIRANË, 5 gusht /ATSH/ Sekretari për Çështjet Ligjore dhe Zgjedhore në Partinë Demokratike, Marash Logu tha sot se qeveria në shkelje të Kushtetutës dhe të Kodit Zgjedhor, prej gjashtë muajsh po pengon zhvillimin e zgjedhjeve të pjesshme vendore në bashkinë e Rrogozhinës.

Sipas Logut, ish-kryetari i bashkisë Rrogozhinë, Edison Memolla, u shpall përfundimisht fajtor më 9 shkurt 2026 nga Gjykata e Posaçme e Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për veprën penale të korrupsionit aktiv në zgjedhje, duke u dënuar me një vit burg.

Sipas tij, në zbatim të Kushtetutës dhe ligjit për vetëqeverisjen vendore, dënimi penal i formës së prerë sjell ndërprerjen e menjëhershme të mandatit të kryetarit të bashkisë.

Ai bëri të ditur se më 11 shkurt 2026 këshilli bashkiak i Rrogozhinës njoftoi Prefektin e Qarkut Tiranë për përfundimin para kohe të mandatit të Memollës, ndërsa Prefekti informoi Këshillin e Ministrave për krijimin e vakancës.

Logu theksoi se, sipas nenit 10 të Kodit Zgjedhor, Këshilli i Ministrave duhet të njoftojë menjëherë Presidentin e Republikës, i cili më pas cakton datën e zgjedhjeve të pjesshme vendore brenda 45 ditëve. Sipas tij, zgjedhjet në Rrogozhinë duhej të ishin zhvilluar brenda datës 28 mars 2026.

Partia Demokratike e cilësoi këtë situatë si antidemokratike, antikushtetuese dhe antiligjore, duke i bërë thirrje Presidentit të Republikës që të dekretojë pa vonesë datën e zgjedhjeve të pjesshme vendore në Rrogozhinë, në mënyrë që qytetarët të zgjedhin përfaqësuesin e tyre.

“Le të jenë qytetarët e Rrogozhinës që vendosin se kush do t’i drejtojë, dhe jo farefisi apo krushqia e kryetarit të shkarkuar për korrupsion zgjedhor”, tha ai.

/m.q/j.p/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›