E Hënë, 2 Nëntor 2026

Qytetarët vijojnë protestën në ditën e 67-të në Tiranë

TIRANË, 5 gusht/ATSH/ Qytetarë u mblodhën pasditen e sotme në kryeqytet, në protestën e 67-të kundër investimit turistik të planifikuar në Zvërnec si dhe me kërkesat për largimin e qeverisë dhe klasës së vjetër politike.

Pas grumbullimit në sheshin “Skënderbej”, protestuesit marshuan drejt Kryeministrisë përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.

Kërkesat, veç anulimit të projektit në Zvërnec, janë edhe politike, përfshirë thirrje për largimin e kryeministrit Edi Rama dhe ndryshime në sistemin politik.

Ata kërkojnë ndryshimin e ligjit zgjedhor, si dhe shfuqizimin e ligjit për investitorët strategjikë, Paketës së Maleve, si dhe ndryshimeve për zonat e mbrojtura dhe trashëgiminë kulturore.

Aktivisti Edison Lika duke folur para protestuesve tha se protestat do të vijojnë edhe gjatë muajit gusht.

“Ky shesh do vazhdojë të jetë plot çdo ditë të këtij gushti. Ky objekt që është pas nesh, Kryeministria nuk ka qenë kurrë më i përfaqësuar se nga ju që jeni në shesh. I drejtohemi SPAK me thirrjen: Hetoni Ramën!”, tha ai.

Një protestuese theksoi se qytetarët nuk do të tërhiqen dhe se protesta do të vijojë deri në dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

“Nuk ka kthim pas. Do të rrimë në këtë shesh deri sa ai të japë dorëheqjen. Ai pret që ne të dorëzohemi dhe të kthehemi në rutinën tonë të mjerimit. Por ne do të presim deri sa ai të japë dorëheqjen dhe do ta marrim në dorë fatin e vendit”, tha ajo.

Pas mbajtjes së fjalimeve protestuesit kanë nisur marshimin, duke vijuar protestën në rrugët e kryeqytetit.

/k.s/a.f/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›