E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD: Rama të sqarojë pasurinë e Lindës, ka lidhje me Barjabën?

TIRANE - Partia Demokratike ka vijuar edhe gjatë ditës së sotme sulmet ndaj kryesocialistit Rama në lidhje me akuzat për vjedhje në SHBA ndaj Kosta Barjabës, bashkëshortes dhe vajzës së tij, por këtë radhe duke përfshirë edhe bashkëshorten e Ramës, Linda Bashën. Më 27 dhjetor 2012, 52 vjeçarja së bashku me bashkëshortin, profesor Kosta Barjaba dhe vajzën e tyre Joniada u ndaluan nga policia e Palo Altos, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës pasi u akuzuan për vjedhjen e një çante me veshje me vlerë 238 dollarë në një qendër tregtare në Standford Shopping Centre të Kalifornisë.

Nëpërmjet një deklarate për mediat, zëdhënësja e PD-së Laura Vorpsi tha se Rama del në mbrojtje të xhepistit ordiner, siç cilësoi ajo Barjabën, pasi sipas saj huaja pa interes prej 100 milionë lekësh që Linda ka deklaruar në IDLKP ka lidhje me veprimtari të përbashkëta me Barjabën.

“Në mbrojtje të xhepistit ordiner Barjaba, z. Rama u deklaroi shqiptarëve se ai kishte kryer një xhest të papranueshëm, cënimin e pronës private prej 238 dollarësh dhe se sipas z.Rama, Barjaba nuk qenka problemi i Shqipërisë”

Bazuar në këtë qëndrim të Rama, Partia Demokratike fton shqiptarët t’i shtrojnë këto pyetje kryetarit të PS-së Edi Rama:

“Cili është burimi i 100 milion lekëve të huasë pa interes që zonja Lindita Basha ka deklaruar në ILDKP. A eshte e lidhur kjo shumë me veprimtari të përbashkëta me Barjabën? Për ç' arsye kjo shumë nuk është transferuar nëpërmjet bankave? A janë këto 100 milonë lekë para' të pastra të tatuara apo para’ të fshehura e të lara? A mund të bësh transparencën para publikut historikun e pallatit të Linda Bashës? Leja për pallatin ishte apo jo në konflikt interesi dhe a janë zbatuar kërkesat e ligjit në rastin e pallatit të bashkëshortes tënde dhe nëse ky pallat apo leja e ndërtimit ishin pajë e ndonjërit partner prej jush? Bashkëshortja jote Lindita Basha, sa projekte ka përfituar nëpërmjet Kosta Barjabës dhe a ka ndarë me të shuma të këtyre projekteve?Për mëse dy javë me radhë, nxjerr zëdhënësin tënd të paguar për të shpifur për të ardhura të familjarëve të kryeministrit të realizuara nga: Veprimtari profesionale, mësimdhënie, botime, qera apartamentesh, trashëgimi familjare, burime tërësisht të ligjshme lehtësisht të verifikueshme të deklaruara në çdo qindarkë, në tatime të kaluara të gjitha nëpërmjet sistemit bankar të deklaruara në çdo qindarke në ILDKP dhe të verifikuara nga ky institucion.”

Në përfundim të deklaratës për shtyp, Partia Demokratike i drejtohet me disa pyetje Ramës në lidhje me akuzat për pasurinë e familjarëve të Kryeministrit Berisha të cilat prej ditësh vijnë nga selia rozë nëpërmjet deputeti Taulant Balla.
“Pyetjet tona janë këto: Përse nuk lejon shpifësin tënd të paguar të paraqitet para trupit gjykues për të faktuar shpifjet e porositura nga ti dhe... A përdorni ju ndonjë dosje hetimi për trafik droge të zëdhënësit tuaj për ta detyruar të shpifë çdo ditë me gojën tënde?
Në rast se ju z.Rama keni nevojë për ndihmë për përgjigje të hapura ndaj këtyre pyetjeve, ne edhe mund t'ju ndihmojmë!”, -përfundon deklarata për shtyp.

(Gre.M/Shqiptarja.com)

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›