E Hënë, 2 Nëntor 2026

PD: Shqipëria renditet në fund të Evropës për zhvillim shkencor dhe universitar

TIRANË, 1 gusht /ATSH/ Drejtuesja e departamentit të Arsimit në Partinë Demokratike, Lili Sula tha sot se Shqipëria renditet e fundit në Evropë për mbështetjen financiare për kërkim dhe zhvillim shkencor dhe universitar.

Në një deklaratë për mediet nga selia blu, Sula theksoi se “realisht buxheti i qeverisë për kërkim shkencor është më pak se 10 milionë euro ose 0,06% i PBB”.

“Diferenca e thellë në krahasim me mesataren e Bashkimit Evropian që është 0,71% e PBB, ose afro 128 miliardë euro, tregon hendekun e pamatshëm mes kolapsit ku gjendet Shqipëria dhe vendeve që investojnë në mënyrë të qëndrueshme për dijen, inovacionin dhe zhvillimin teknologjik”, tha Sula.

Duke iu referuar Eurostat, Sula tha se “investimet publike në kërkim shkencor dhe zhvillim janë kyçe për konkurrueshmërinë dhe zhvillimin e qëndrueshëm, ndaj mbetja në fund të listës përbën një thirrje për reflektim dhe ndryshim të drejtimit strategjik të vendit”.

“Nëse vendet evropiane e kanë rritur financimin me 3,4% krahasuar me vitin 2023 (123,7 miliardë euro) dhe një rritje prej 59,5% krahasuar me vitin 2014, (kur kjo shumë ishte rreth 80,2 miliardë euro), ne mbetemi në vendnumëro me gjithë shfaqjet pompoze për arritje në arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor”, tha Sula.

Sipas Sulës ekspertët e lidhin këtë nivel shumë të ulët financimi në Shqipëri me mungesën e vëmendjes institucionale ndaj kërkimit shkencor dhe me prioritetet e ekonomisë shqiptare të përqendruar kryesisht tek ndërtimi dhe turizmi, të cilët nuk nxisin kërkim, teknologji apo risi.

“Nënfinancimi i vijueshëm dhe mungesa e infrastrukturës moderne akademike lidhet jo vetëm me mungesën e një politike të qartë kombëtare për kërkim dhe zhvillim, por shumë më tepër me urrejtjen e shpallur që partia shtet ka për elitën e shoqërisë”, tha Sula.

/m.q//r.e//a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›