PD: Shqiptarët paguajnë nga xhepi 48,3% të faturës për shëndetësinë

TIRANË, 7 shtator/ATSH/ Sekretari për aksionin qytetar në Partinë Demokratike, Erges Eskiu, deklaroi sot se shqiptarët paguajnë nga xhepi 48,3% të të gjitha shpenzimeve për shëndetin, duke e cilësuar këtë si përqindjen më të lartë në Europë.
Në një deklaratë për mediet, Eskiu e lidhi këtë shifër me atë që e cilësoi si dështim të modelit të shëndetësisë falas të qeverisë.
Sipas tij, pothuajse gjysma e kostove për analiza, ilaçe, ekzaminime apo trajtime shëndetësore përballohen drejtpërdrejt nga qytetarët.
“Shqiptarët paguajnë taksa, paguajnë sigurime shëndetësore, por kur sëmuren, detyrohen të paguajnë përsëri nga xhepi”, u shpreh Eskiu.
Ai tha se konsumi shëndetësor për frymë në Shqipëri është rreth 40% e mesatares së Bashkimit Europian, ndërsa theksoi se barra financiare rëndon veçanërisht mbi pensionistët, të sëmurët kronikë dhe familjet me të ardhura të ulëta.
Eskiu akuzoi gjithashtu qeverinë se qindra milionë euro nga buxheti i shëndetësisë janë orientuar drejt koncesioneve dhe kontratave që ai i cilësoi klienteliste, duke pretenduar se fondet duhej të përdoreshin për pacientët, barnat, mjekët dhe spitalet.
Sipas tij, Partia Demokratike synon ndryshimin e modelit aktual të financimit dhe ofrimit të shërbimeve shëndetësore.
Eskiu renditi disa prej propozimeve të PD-së, mes tyre dyfishimin e buxhetit për shëndetësinë, krijimin e një skeme të re sigurimesh shëndetësore sipas modelit gjerman, zgjerimin e listës së barnave të rimbursueshme dhe uljen e çmimeve të tyre.
PD propozon dyfishimin e pagave për mjekët dhe infermierët, pajisjen e spitaleve me teknologji moderne, përfundimin e kartelës elektronike të pacientit, si dhe krijimin e një fondi të posaçëm për barnat dhe aparaturat për trajtimin e sëmundjeve onkologjike.
Në programin e saj, sipas Eskiut, PD parashikon edhe forcimin e mjekësisë së familjes, programe të posaçme për të moshuarit, zgjerimin e depistimeve dhe rishikimin e koncesioneve që opozita i konsideron abuzive.
“Objektivi ynë është i matshëm: të ulim ndjeshëm pjesën që shqiptarët paguajnë sot nga xhepi dhe të garantojmë që askush të mos heqë dorë nga analizat, ilaçet apo trajtimi sepse nuk ka para”, deklaroi Eskiu.
/e.i/r.e/