PD: Shqiptarëve u duhet një shtet që kontrollon territorin dhe mbron jetën

TIRANË, 3 shtator /ATSH/ Partia Demokratike ka reaguar pas tri ngjarjeve të rënda të shënuara brenda pak orësh në Mirditë, Orikum dhe Korçë, duke deklaruar se autoriteti i shtetit po sfidohet hapur nga krimi.
Në një deklaratë për mediet, PD përmend vrasjen e 65-vjeçarit Viktor Bardhi në Ndërfushaz të Mirditës, kërcënimin nga persona të armatosur e të denoncuar nga pronari i një resorti në Orikum dhe plagosjen e një personi pas të shtënave në Korçë.
PD kërkon zbardhjen e plotë të ngjarjeve dhe kapjen e autorëve, ndërsa kritikon institucionet për reagimin, sipas saj, pas ngjarjeve kriminale.
“Partia Demokratike kërkon zbardhjen e menjëhershme dhe të plotë të këtyre ngjarjeve dhe vënien përpara drejtësisë të autorëve. Ne mbështesim çdo punonjës të Policisë së Shtetit që përballet me krimin dhe kryen me profesionalizëm detyrën e tij. Por Shqipëria nuk mund të qeveriset me postblloqe të ngritura pasi është kryer vrasja, me ndjekje policore pasi është rrethuar biznesi dhe me komunikata pasi është qëlluar me armë. Policia nuk mund të jetë gjithmonë një hap pas krimit. Shteti duhet të jetë një hap përpara tij”, thuhet në deklaratën e PD.
“Policia nuk mund të jetë gjithmonë një hap pas krimit. Shteti duhet të jetë një hap përpara tij”, thuhet në deklaratë.
Partia Demokratike deklaron se kur ajo të vijë në qeverisje do të forcojë kontrollin e territorit, hetimin proaktiv dhe luftën ndaj grupeve kriminale, duke synuar një shtet ku “krimi i trembet shtetit dhe jo qytetari krimit”.
/e.xh/r.e/