E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Kantina “Enofama”, investime dhe mbështetje për rritjen e eksporteve të verës shqiptare

TIRANË, 3 shtator/ATSH/ Me ardhjen e shtatorit ka nisur sezoni i vjeljes së rrushit në vend, ndërsa vreshtaria dhe prodhimi i verës po mbështeten përmes skemave të Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR), me synim rritjen dhe modernizimin e fermave dhe kantinave.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale momente nga vjelja e rrushit në një plantacion në Toshkëz të Lushnjës, ku fermerët kanë nisur mbledhjen e prodhimit për treg.

“Kantina “Enofama” është një shembull suksesi i verës shqiptare në tregun vendas dhe atë ndërkombëtar, e mbështetur nga Programi IPARD, Kredia e Butë me Garanci Sovrane dhe Skema Kombëtare e Investimeve”, shkroi Rama.

Ndërsa Marko Malia, sipërmarrës i ri në këtë kantinë, tregon se, familja e tij e nisi këtë aktvitet në vitin 1998 me ngritjen e vreshtave të para në një sipërfaqe prej rreth 3 mijë metrash katrorë. Sot, sipas tij, sipërfaqja e kultivuar me vreshta ka arritur në 45 hektarë, ku një pjesë e konsiderueshme e prodhimit mbështetet te varietetet autoktone shqiptare.

Malia theksoi se vitet e fundit fokusi është vendosur tek investimet për mbrojtjen e vreshtave nga breshëri, ku përmes subvencioneve fermerët po përfitojnë rrjeta antibreshër me kosto më të ulët.

Prioritet, sipas tij, mbetet rritja e cilësisë së prodhimit dhe zgjerimi i eksporteve. Rrushi i prodhuar në fermë ka kërkesë në tregjet e huaja, ndërsa synohet zgjerimi i eksporteve drejt Belgjikës, Japonisë, Kinës dhe Brazilit.

“Ka pasur rritje të kërkesës nga tregjet për prodhimin e rrushit nga ferma jonë. Kemi aplikuar pranë AZHBR-së dhe kemi lidhur kontratën për përfitimin e subvencioneve për cisterna të reja fermentimi dhe teknologji të reja përpunimi”, tha Malia.

Në sektorin e përpunimit, kantina “Enofama” është një tjetër shembull i zhvillimit të prodhimit shqiptar të verës, e mbështetur përmes Programit IPARD, Kredisë së Butë me Garanci Sovrane dhe Skemës Kombëtare të Investimeve.

Mbështetja financiare për fermerët dhe bizneset e agropërpunimit synon rritjen e produktivitetit, përmirësimin e teknologjive, rritjen e cilësisë së prodhimit vendas dhe forcimin e konkurrueshmërisë së produkteve shqiptare në tregjet ndërkombëtare.

/e.xh/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›