PD, akuza kreut të Këshillit të Qarkut Lezhë

TIRANË, 2 shkurt/ATSH/ Zëdhënësja e Antikorrupsionit në Partinë Demokratike, Genta Vangjeli, ngriti akuza ndaj kryetarit të Këshillit të Qarkut Lezhë Agron Ivani për shtyrjen në shkelje të ligjit të një lejeje ndërtim për objekte deri në 10 kate në Shëngjin.
Në një deklaratë për mediet nga selia e PD-së, Vangjeli bëri të ditur se afati i kësaj leje ndërtimi është deri më 31 maj 2028.
“Përveç faktit që investitori sipas kësaj lejeje është një subjekt i cili ka deklaruar një kapital 10 mijë lekë dhe ka vetëm 3 vite aktivitet tregtar aktiv, pa publikuar asnjë bilanc në QKB, përmes kësaj lejeje lëshuar nga Këshilli i Qarkut, nënshkruar nga Agron Ivani dhe specialisti i planifikimit Ferdinand Ndoj është vepruar në kundërshtim me nenet 27, 40, 59 të ligjit nr.107/2014 “Për Planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, i ndryshuar. Leja e ndërtimit, dt. 13. 05. 2023 e Këshillit të Qarkut Lezhë për ’Shtyrje afati dhe ndryshim subjekti ndërtues’ është e paligjshme”, theksoi ajo.
Vangjeli renditi edhe disa nga arsyet për të cilat e cilësonte të paligjshme këtë leje, ndër të cilat edhe përfudnimin e afatit të lejes origjinale pasi sipas saj, ligji parashikon që shtyrja e afatit mund të kryhet nga autoriteti përgjegjës, me kërkesë të zhvilluesit, me kushtin që të mos kenë kaluar më shumë se 10 vjet nga data e miratimit të lejes së ndërtimit dhe subjekti të ketë paguar paraprakisht penalitetet e parashikuara.
Leja origjinale, tha ajo, është e dt. 31. 03. 2009, pra më shumë se 10 vjet.
Po ashtu ajo theksoi se Këshilli i Qarkut ka kryer funksione që i përkasin autoriteteve të tjera të zhvillimit.
“Këto veprime antiligjore të Kryetarit të Këshillit të Qarkut Lezhë sigurisht nuk kryhen pa u vënë re nga institucionet e tjera ligjzbatuese por pjesë e kësaj skeme antiligjore dhe ndarjes së parave janë sigurisht edhe Bashkia e Lezhës, Inspektoriati i Mbrojtjes së Territorit, policia dhe prokuroria. Me bekimin e tyre, lejohet të shkelet ligji me të dyja këmbët, duke ndërtuar godina shumëkateshe në Shëngjin, e duke zaptuar çdo pjesë të bregdetit të Shëngjinit dhe jo vetëm”, u shpreh Vangjeli.
Vangjeli vuri në dukje më tej, se pasi përfundon ndërtimi me dokumente tërësisht antiligjore, objektet legalizohen dhe nisin procedurat për shitjen e apartamenteve.
“Kështu pasurohen qeveritarët e Ramës, dhe pseudo biznesmenët të cilët pastrojnë paratë dhe sigurisht një pjesë e mirë e tyre vendosen në qarkullim për blerjen e votave sa herë ka zgjedhje”, tha Vangjeli.
Sipas saj, Partia Demokratike kërkon pezullimin e menjëhershëm të kësaj leje ndërtimi dhe të tjerave të ngjashme me të. Ajo deklaroi se kallzimi penal është gati.
/a.f/