PD bllokon foltoren e Kuvendit, Peleshi i heq të drejtën e fjalës Berishës: Thirrje për dhunë

TIRANË, 29 tetor/ATSH/ Seanca plenare e Kuvendit ka nisur me tensione, pasi deputetët e Partisë Demokratike goditën tavolinat, ndërsa Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi po lexonte rendin e ditës.
Më pas deputetët e opozitës bllokuan foltoren, duke mbajtur në duar postera me pamje nga protesta.
Gjatë seancës pati debate të ashpra mes opozitës dhe mazhorancës.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, mori fjalën nga foltorja dhe kritikoi reagimin e policisë ndaj protestuesve.
“Këta që shihni këtu janë më kriminelë se ata që thyejnë kocka e çajnë kafka. Këta meritojnë gazin lotsjellës dhe plumbat e gomës”, deklaroi Berisha.
Pas këtyre deklaratave, kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, i ndërpreu fjalën Berishës dhe i hoqi të drejtën e fjalës për pjesën e mbetur të ditës, duke argumentuar se ai kishte bërë thirrje për dhunë nga foltorja e Kuvendit.
“Zoti Berisha, kjo nuk është procedurë. Sipas Rregullores, ju hiqet e drejta e fjalës për ditën e sotme. Keni bërë thirrje për dhunë nga foltorja e Kuvendit. Uluni te vendi juaj, s’keni të drejtë fjale për gjithë ditën e sotme”, tha Peleshi.
Tensionet në seancë vijuan ndërsa deputetët e PD-së mbajtën të bllokuar foltoren, duke kundërshtuar zhvillimin e punimeve të Kuvendit.
Edhe me rifillimin e seancës nga ana e Peleshit dhe thirrjeve të tij për lirimin e foltores, deputetë të PD-së vijuan të qëndrojnë aty. Seanca kaloi në pushim deri në qetësimin e situatës.
PD bllokon foltoren e Kuvendit, foto: Andrin Hoxha 1 nga 10/gj.m/r.e/