E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD dhe KQZ: Pretendimet e PS, të pabazuara në ligj

Juristët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe përfaqësuesit e Partisë Demokratike kanë qenë në një zë, sa i takon kërkesës së tyre për rrëzimin e padisë së bërë nga Partia Socialiste. Në fillim mori fjalën pala e paditur, KQZ, duke argumentuar veprimet ligjore. Drejtoresha juridike, Dëshira Pasku, sqaroi Kolegjin se KQZ, bazuar mbi ankesat e mbërritura nga ZAZ-të, kishte vendosur që të vlerësonte votat e hedhura në kutitë e gabuara. Sipas saj, për shkak se nuk ekziston asnjë përkufizim në Kod që i klasifikon ato si të pavlefshme KQZ kishte bërë bashkëngjitjen me tabelën e rezultatit. Pasku tha se pretendimet për mospërputhje shifrash po ngrihen për herë të parë në këtë mbledhje Kolegji, pasi në KQZ nuk ishte bërë një ankim i tillë. Juristi i Partisë Demokratike, Ivi Kaso, argumentoi se nuk ka vendime të ndërmjetme pasi të gjitha vendimet kanë qenë pjesë e vendimit 709, ndërsa ky i fundit është lënë në fuqi nga vendimi i Kolegjit një javë më parë. Kaso citoi faqen 14 të vendimit të Kolegjit, ku vlerëson se vendimi 709 ka zgjidhur në mënyrë përfundimtare problemin e shtruar. “Ndaj vendimit të Kolegjit nuk bëhet ankimim dhe kjo çështje është shqyrtuar njëherë më parë. Pas 11 orësh, Kolegji e quajti të vlefshëm atë vendim”, tha Kaso. Më tej, ai u ndal edhe tek faqe 17-18 e vendimit të Kolegjit, për të sqaruar se pse nuk është me bazë pretendimi i PS se, vendimi nr.711 i KQZ-së nuk pasqyron realisht vullnetin e zgjedhësve. Duke ju referuar pretendimit të palës paditëse, për çështjen e fletëve të rivlerësuara, Kaso ju rikthye vendimit të Kolegjit në faqen 17-18, ndërsa tha se është konstatuar që Kodi nuk ndalon rivlerësimin e një sasie votash dhe gjykimin nëse janë të vlefshme apo jo ato. PD argumentoi qëndrimin e saj se pavlefshmëria e fletës së votimit mund të ndodhë në momentin deri sa hidhet në kuti, por pas këtij momenti, vota cilësohet e vlefshme, nëse plotësohen kërkesat e Kodit. “Pala paditëse në fakt e dëshiron pavlefshmërinë e zgjedhjeve, por nuk e artikulon këtë kërkesë për shkak se do të duhej të paraqiste më pas provat, se kemi të bëjmë me një manipulim të pretenduar. Prova që nuk ekzistojnë, pasi nuk ka pasur manipulim. Pavlefshmërinë e synon pala paditëse, e cila jep pretendime mbi mospërputhjen e shifrave”, theksoi Kaso. Sipas tij, mospërputhjet e shifrave janë për shkak të gabimeve njerëzore, pasi komisionerët vijnë nga radhët e mbështetësve të partive politike e si të tillë janë të patrajtuar siç duhet. Një tjetër element që mund të ketë ndikuar është edhe lodhja dhe numërimi me orë të gjata në GNV. PD kundërshtoi pretendimin e PS se mospërputhje në shifra ka vetëm pas rivlerësimit të tabelave në KQZ, pasi Kaso solli një shembull se si në një qendër votimi në ZAZ nr.50 kishte ndodhur që në listë nuk ishte firmosur fare. “Mos rakordimi në tabelën përfundimtare, nuk është në juridiksionin e Kolegjit, pasi është një gjykim fillestar. PS nuk ka ankimuar në KQZ për këtë pretendim, edhe pse e ka pasur kohën e mjaftueshme por e sjell tani për herë të parë, kur janë djegur të gjitha afatet ligjore”, u shpreh Kaso. Përfaqësuesi i PD solli citime nga Komisioni i Venecias dhe nga literaturë ndërkombëtare se, ndodh praktika e mosrakordimit të shifrave, mes numrit të votuesve dhe fletëve të gjendura në kuti dhe kjo vjen për shkak të gabimit njerëzor. PD hodhi poshtë edhe pretendimin e PS, se kërkesat e ZAZ-ve për KQZ-në ku konstatoheshin fletë të hedhura në kutinë e gabuar kishin ndodhur pas datës 14 maj. Kaso solli në vëmendje një procesverbal të një konstatimi të tillë nga ZAZ nr.51 dhe i bërë më datën 12 maj në ora 12:00. D.M.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›