Wollfarth: Të respektohet kuadri ligjor në vend
Ambasadori i OSBE-së në Shqipëri, Eugen Wollfarth, i kërkoi të gjithë aktorëve polikë në vend zbatimin e ligjit dhe të Kushtetutës. Duke folur për situatën politike në vend nga qyteti i Pogradecit, ku mori pjesë në një takim me OJF të ndryshme, Wollfarth deklaroi se është e rëndësishme që të respektohet kuadri ligjor në vend. Sipas tij, gjyqtarët e Kolegjit Zgjedhor duhet të marrin vendime, duke u bazuar vetëm te Kushtetuta. “E rëndësishme është që procesi të jetë i saktë, si dhe të respektohet kuadri ligjor në Shqipëri dhe Kodi”, deklaroi Wollfarth. Ambasadori bëri apel që procedurat pas zgjedhore në vend të kryhen në përputhje të plotë me ligjin, ndërkohë që ka nënvizuar domosdoshmërinë e hartimit të reformave të reja, që situata të mos përsëritet në të ardhmen. “Procedurat paszgjedhore të kryhen sipas ligjit. Procesi zgjedhor në Shqipëri ishte sipas Kushtetutës, ndaj edhe zgjati. Është e nevojshme që në të ardhmen të bëhen reforma të reja. Procesi i numërimit duhet të kryhet sipas kushtetutës. Kjo ka qenë dhe arsyeja që në Shqipëri ky proces numërimi zgjati. Në të ardhmen duhet të bëhen reforma që ky proces numërimi të mos zgjasë. Madje më e rëndësishme është që te jetë i saktë”, theksoi ndër të tjera për këtë argument ambasadorit i OSBE-së, Eugen Wollfarth. Ndërkaq, ambasadori deklaroi se raporti përfundimtar i këtij organizmi do të jetë edhe vlerësimi real i procesit zgjedhor. “Gjyqtarët e Kolegjit Zgjedhor të marrin vendime, sipas ligjeve dhe kushtetutës. Për të arritur në një konkluzion, të presim përgjigjet përfundimtare nga OSBE”, ka mbyllur fjalën e tij përfaqësuesi i OSBE në Shqipëri. Wollfarth realizoi pasditen e së hënës një vizitë në ambientet e kompanisë “Birra Korça”. Ambasadori takoi sipërmarrësin e “Birra Korça”, Irfan Hysenbelliu. Wollfarth vlerësoi punën e biznesit të kësaj kompanie, si një shembull investimi, ndërkohë që theksoi se kombinimi punë-njohuri krijon konkurrencën në treg.