PD kërkoi zgjatjen e afatit të regjistrimit të zgjedhësve nga jashtë, Komisioni Rregullator rrëzon kërkesën

TIRANË, 4 mars/ATSH/ Komisioni Rregullator rrëzoi sot propozimin për shtyrjen e afatit të regjistrimit në zgjedhje për shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë vendit.
Propozimi u bë nga dy anëtarët e opozitës, Helga Vukaj dhe Muharrem Çakaj. Partia Socialiste dhe Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirian Celibashi u shprehën ditën e djeshme pro një mundësie për shtyrje afati vetëm për 42 mijë të refuzuarit që do të ndihmoheshin për t’u regjistruar.
Afati për shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë vendit për të bërë kërkesë në Platformën Elektronike të Regjistrimit (PER) për zgjedhjet parlamentare të 11 majit përfundon mesnatën e 4 marsit.
Procesi për regjistrimin në platformën PER nisi më 11 janar.
Të dhënat e fundit të KQZ, tregojnë se u është miratuar kërkesa për regjistrim 229,875 zgjedhësve.
42,321 zgjedhësve iu është refuzuar aplikimi.
Në total, janë 287,456 zgjedhës (unikë) që kanë bërë kërkesë për regjistrim dhe 15,256 kërkesa janë ende në shqyrtim.
Vetëm sot pati 5,359 aplikime. Regjistrimi për diasporën u hap më datë 11 janar dhe mbyllet mesnatën e 4 marsit. PD në momentin e fundit kërkoi shtyrjen e afatit deri më datë 9 mars, duke e vënë Komisionin Rregullator në lëvizje. Kërkesat për regjistrime janë nga vende të ndryshme të botës.Numri më i lartë i kërkesave për regjistrim të miratuara është nga Italia, e ndjekur nga Greqia, më pas Gjermania dhe SHBA.
Sa i takon qarqeve, numri më i lartë i kërkesave për regjistrim të miratuara është nga qarku i Tiranës, ndjekur nga Fieri dhe Durrësi. /j.p/