E Hënë, 2 Nëntor 2026

PD, letër ambasadave: Ndryshimet e njëanshme në Rregulloren e Kuvendit dëmtojnë integrimin evropian

TIRANË, 15 shtator/ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, në një letër drejtuar nëntë ambasadave në Tiranë, përfshirë ambasadën e Shteteve të Bashkuara dhe Delegacionin e Bashkimit Evropian, ka ngritur shqetësimin mbi ndryshimet e propozuara në Rregulloren e Parlamentit.

Bardhi nënvizon se propozimet e njëanshme përfshijnë rritjen e numrit të komisioneve parlamentare nga 8 në 11, si dhe shkrirjen e komisionit për Integrimin Evropian me komisionin për Punët e Jashtme.

Kreu i sapokonfirmuar i grupit parlamentar të PD-së informoi ambasadat se në 11 shtator, gjatë Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, kryeministri Edi Rama deklaroi se një grup pune, i përbërë vetëm nga anëtarë të Partisë Socialiste, ka punuar mbi disa ndryshime që duhet të bëhen në emërtimin, përbërjen dhe drejtimin e komisioneve parlamentare.

Sipas Bardhit, asnjë deputet opozitar nuk ishte pjesë e këtij grupi pune, dhe as nuk u ftua që të bëhej pjesë.

Ai i cilësoi të njëanshme propozimet e Kryeministrit Rama për rritjen e numrit të komisioneve parlamentare nga 8 në 11, si dhe shkrirjen e komisionit për Integrimin Evropian me komisionin për Punët e Jashtme.

“Komisioni i ri për Evropën dhe Punët e Jashtme do të drejtohet nga mazhoranca socialiste, një devijim nga tradita e gjatë parlamentare dhe praktika demokratike”, thuhet në letrën e Bardhit.

Sipas Bardhit, heqja e drejtimit të Komisionit për Integrimin Evropian përfaqësuesve të opozitës dëmton procesin e integrimit dhe përjashton opozitën nga ky proces.

“Përveç faktit se këto propozime nuk u paraqitën nëpërmjet procedurës së rregullt parlamentare, por gjatë Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, ato injorojnë tërësisht modelet e vendeve të Ballkanit Perëndimor, në të cilat çdo parlament ka një komision të dedikuar për integrimin evropian, i udhëhequr nga opozita (Kosova, Mali i Zi dhe Serbia). Qëllimi kryesor i këtyre komisioneve është të garantojë shqyrtimin e duhur të çdo projektligji lidhur me integrimin evropian, ashtu si edhe të sigurojë një rol domethënës të opozitës në procesin e integrimit”.

Kreu i Grupit të PD-së theksoi se miratimi i ndryshimeve të Rregullores në mënyrë të njëanshme, veçanërisht ndryshimet që prekin integrimin evropian, dëmton frymën e bashkëjetesës demokratike, konsensusit dhe gjithëpërfshirjes.

Bardhi, në emër të Grupit të PD-së kërkon ndërhyrjen e ambasadave për ndalimin e miratimit në mënyrë të njëanshme të këtyre ndryshimeve nga mazhoranca socialiste, duke u ulur paraprakisht në tryezën e dialogut me përfaqësuesit e opozitës.

Këto qëndrime kreu i grupit parlamentar demokrat i bëri të ditura edhe pas mbledhjes së parë të Konferencës së Kryetarëve.

Kryeministri, Edi Rama, njëherësh kryetari i PS, deklaroi në Asamblenë Kombëtare të PS, se në Kuvend do të krijohen 11 komisione të përhershme të reja parlamentare, të cilat do të kenë lidhje organike sipas grup-kapitujve të procesit të negociatave të Shqipërisë në BE

Rama u shpreh se 7 komisione do të drejtohen nga shumica parlamentare dhe 4 prej tyre nga opozita. Sipas tij, “Kuvendit të ri i duhen më shumë komisione të përhershme dhe më pak anëtarë në përbërjen e tyre, duke ulur në minimum numrin e deputetëve që lëvizin si ambulantë nga një komision te tjetri”.

/m.m/j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›