PD mbledh grupin parlamentar, Berisha: Kandidati i mazhorancës, Zaganjori personalitet me karrierë 31 vjeçare – meriton konsensusin e opozitës

UPDATE- Shefi i mazhorancës, Sali Berisha ka rikonfirmuar mbështetjen e plotë për kandidatin e PD-LSI, Xhezair Zaganjori ndërsa ka ftuar opozitën që krahas shqyrtimit të saj të paraqesë edhe alternativat e saj. Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar demokrat, Berisha njohu ligjvënësit për takimin e djeshëm me kryetarin e PS, Edi Rama. “Takimi ishte një përpjekje, palët shprehën qëndrimet, pikëpamjet. Sot shqiptarët prisnin votimin, nuk ndodhi, po vjen raundi i tretë, uroj që të votojmë në raundin e tretë kandidaturën më të mirë, jemi të vendosur të vazhdojmë të përpiqemi për mirëkuptimin më të gjerë të mundshëm Ekziston një vetëdije e thellë për çdo qytetar, për çdo politikan se kryetari i shtetit duhet të ketë integritetin, dhuntinë dhe të gjithë vetitë dhe aftësitë për ta përfaqësuar me dinjitet vendin dhe të tillë Shqipëria ka. Ndaj dhe duke iu shprehur mbështetjen e plotë kandidatit tonë ftoj opozitën që ta shqyrtoj sikundër e ftoj atë të propozojë edhe kandidatin e saj. Jemi të angazhuar në një proces konsultimesh civile, të përgjegjshëm dhe në interes të procesit dhe të vendit”- u shpreh Berisha. Kreu i qeverisë theksoi se kandidatura e propozuar nga mazhoranca, Xhezair Zaganjori është një profil jo partiak dhe kësisoj meriton një vlerësim konsensual dhe të gjithëpranuar edhe nga opozita. “Ai është personalitet me karrierë të gjatë 31 vjet, janë me qindra juristë që u ka dhënë mesim dhe e njohin. Paraqitja ishte transparente, por ndërkohë nuk kam deklaruar dhe menduar se partia kryesore opozitare nuk duhet të propozojë, apo kandidaturat e saj do të paragjykohen. Preokupimi ynë duhet të jetë proces kushtetues. Besoj se jeni dakord që karrikja është posti i parë i shtetit. Nuk mundet që të shkojmë poshtë, ose të kërkojmë poshte, jo më lart”- tha kryeministri. Berisha duke e cilësuar si shumë të rëndësishme për vendin procesin e zgjedhjes së presidentit të ri theksoi se mazhoranca ka krijuar frymën dhe kushtet për një votim të gjërë konsensusal në Parlament. “Në tërësi unë e kuptoj adrenalinën që qarkullon tek politika në këtë periudhë por vleresoj shumë edhe mirëkuptimin që keni treguar se ky do të jetë një proces sa më i gjerë i mundëshëm. Në këtë frymë dua t`ju them se konsultimet janë të pandërprera qoftë mes aleatëve por edhe me opozitën dhe në këtë kuadër u zhvillua edhe takimi në kryesinë e kuvendit ku u shpreh gjerësisht pikëpamjet dhe qëndrimet e palëve. Në ekspozenë tonë në këtë takim edhe njëherë ne argumentuam vendosshmërinë tonë për të ecur me një ujdi më të gjërë të mundshme. Dhe në këtë kontekst ne dolëm jashtë fushës politike e cila në meritë duhet të ishte e para por në problemin që krijon për konsensusin ajo nuk mund të jetë e para”- theksoi më tej kryeministri Berisha.
...