PD ndan “tortën” për aleatët, Meta katër vende në listën e sigurt, Mediu, Dule e Duka nga një

Tre ditë para se të përfundojë afati për regjistrimin e koalicioneve, Partia Demokratike ka mbyllur negociatat me aleatët e saj kryesorë, ndërkohë që ende vazhdon bisedimet me partitë e tjera opozitare.
PD dhe aleatët e saj do të garojnë me një listë të përbashkët kandidatësh dhe mësohet se Partia e Lirisë do të ketë 4 vende në pjesën e mbyllur të listës, me kryetarin e saj Ilir Meta, i cili do të jetë kandidat në zonën e sigurt të listës së Tiranës. Ndërsa aleatët e tjerë, Fatmir Mediu, Vangjel Dule dhe Agron Duka, do të kenë nga një vend të sigurt në listën e kandidatëve për deputetë.
Ndërkohë, PD ende vazhdon bisedimet me PDIU-në e Shpëtim Idrizit dhe partitë e tjera opozitare.
Përtej koalicionit të udhëhequr nga PD, që do të jetë koalicioni më i madh i opozitës, partitë e reja kanë krijuar aleanca për zgjedhjet e 11 majit.
Adriatik Lapaj dhe Endri Shabani zyrtarizuan sot koalicionin për zgjedhjet parlamentare me emrin “Nisma Shqipëria Bëhet”.
“Jemi në krah të drejtësisë dhe do ta mbështesim atë, dhe ky është një koalicion që u ofron shqiptarëve një mundësi për të zgjedhur një alternativë për ndryshimin e Shqipërisë,” tha Adriatik Lapaj.
Nga ana tjetër, Dashamir Shehi dhe partia Djathtas 1912 kanë shpallur se do të garojnë së bashku dhe kanë ftuar të gjitha partitë e opozitës të bashkohen më 11 maj kundër qeverisë Rama.
/vizionplus.tv