E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD ndryshoi logon në mes të fushatës

Partia Demokratike e Shqipërisë
është detyruar të
ndryshojë logon e fushatës
elektorale, bash në mes të kësaj
fushate. Vëzhguesit e vëmendshëm
kanë vënë re që në fillim të
kësaj fushate elektorale një problem
në logon e kompozuar me
një flamur dhe një shirit blu ku
shkruhet slogani "Shqipëria po
ndryshon". Shqiponja dykrenore
e flamurit kombëtar, në logon e
fushatës së Partisë Demokratike
shfaqej vetëm me një kokë, pasi
njëra ishte e prerë.
Defekti i vërejtur fillimisht
nga vëzhgues jashtë zyrave të
PD-së u bë problem në shtabin
elektoral të partisë pak ditë pas
hapjes zyrtare të fushatës, deri sa
vetë kryetari i PD-së, Sali Berisha,
urdhëroi korrigjimin me urgjencë
të këtij gabimi.
Zyrtarë të vegjël në PD, të cilët
janë angazhuar me organizimin
e fushatës elektorale, treguan
se "doktori" ishte acaruar së
tepërmi kur kishte konstatuar
"gjymtimin" e shqiponjës dykrenore,
gabim ky që u kishte
shpëtuar personave të ngarkuar
me imazhin e fushatës. Mësohet
se edhe vetë Berisha kishte dhënë
fillimisht pëlqimin për logon e
fushatës, por me sa duket nuk i
ka bërë përshtypje, apo nuk e ka
vënë re që në fillim mungesën e
një koke të shqiponjës në flamur.
Kjo logo u prodhua me kërkesën
e shtabit elektoral të PD-së
nga një studio grafike private në
Tiranë, e cila ka marrë përsipër
edhe prodhimin e një pjese të
fletëpalosjeve, posterave dhe
materialeve të tjera promovuese.
Por, pas urdhrit të Berishës,
studioja u detyrua të ndryshonte
logon që më parë ishte miratuar
nga shtabi elektoral i PD-së. Mësohet
se negociatat me studion
kanë qenë të vështira, pasi në
kohën kur u konstatua problemi
ishte prodhuar pjesa më e madhe
e materialeve dhe prodhimi nga e
para do të kishte një kosto shumë
të lartë.
Për këtë arsye u vendos që të
tërhiqen vetëm një pjesë e materialeve,
që nuk përfshijnë stendat
e mëdha që vendosen në sfond
të podiumeve gjatë mitingjeve të
Partisë Demokratike.
Nëse shihen me vëmendje
disa takime elektorale të Berishës,
mund të konstatohet se
logoja me sloganin "Shqipëria
po ndryshon" e ka shqiponjën
me një kokë në stendën e madhe
mbrapa podiumit dhe me dy
koka në podium.
Partia Demokratike e ndryshoi
më parë logon zyrtare të
Partisë, duke i hequr "bishtin"
kompozimit të germave P dhe
D. Ndërhyrje në simbole u bënë
edhe nga ana e Partisë Socialiste
përpara fushatës elektorale. Por
ndryshimi i logove në mes të
fushatës shënon rastin e parë të
këtij lloji në Shqipëri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›