E Diel, 1 Nëntor 2026

500 policë të Tiranës shpërndahen në rrethe

Rreth 500 punonjës policie
të Drejtorisë së Tiranës do
të detyrohen të votojnë në
rrethe, pasi ata do të shërbejnë
ditën e zgjedhjeve. Drejtori i
Policisë së Tiranës ka deklaruar
dje zyrtarisht se 500 punonjës
policie janë dërguar në Elbasan,
Fier dhe Berat, pasi këto qarqe
kishin nevojë për uniforma blu
të trajnuara. Sipas kreut të policisë
së kryeqytetit, Tonin Vocaj,
kjo shpërndarje e efektivëve blu
është bërë me qëllim që ditën e
zgjedhjeve të jenë në shërbim për
votën e lirë vetëm punonjësit e policisë
që janë trajnuar kundrejt gjithë
rregullave për këtë proces. Në
këto kushte, një pjesë dërrmuese
ka shkuar në qytetin e Fierit, që
mendohet se do të jetë zona më e
ngrohtë e zgjedhjeve për këtë vit,
ndërsa pjesa tjetër në Berat dhe
në Elbasan. Vetëm pak ditë më
parë, policia shqiptare kaloi në
shërbim të përforcuar, pikërisht
për shkak të zgjedhjeve. Deri pas
mbarimit të procesit zgjedhor, të
gjitha strukturat e policisë do të
jenë në gatishmëri për parandalimin
e çdo ngjarjeje kriminale,
për të pasur një proces zgjedhor
të qetë dhe pa incidente. Gjendja
aktive e gatishmërisë nuk është
aplikuar vetëm në Tiranë, por në
të gjitha strukturat e saj vendore.
Informacioni është bërë i ditur
nga burime pranë Drejtorisë së
Përgjithshme të Policisë së Shtetit,
të cilat kanë detajuar se si do
të funksionojnë strukturat gjatë
kësaj periudhe. Sipas të dhënave,
duke nisur që nesër, do të ngrihen
grupe pune për koordinimin dhe
drejtimin e shërbimeve të policisë
për periudhën zgjedhore, si dhe
për komunikimin me median.
Këto grupe do të ngrihen jo vetëm
në qendër, por edhe pranë strukturave
vendore të policisë në
juridiksionin e të cilave do të
zhvillohen zgjedhjet parlamentare
në datën 28 qershor. Por, për
mbarëvajtjen e punës së policisë
dhe me qëllim monitorimin e
kontrollin e zbatimit të detyrave
nga strukturat vendore të policisë
në të gjitha qarqet do të dërgohen
specialistë nga Drejtoria e Rendit
dhe Sigurisë Publike. Drejtori i
përgjithshëm i Policisë së Shtetit,
Ahmet Prençi, përmes një
urdhër-shërbimi "Për marrjen
e masave dhe përmbushjen e
detyrimeve ligjore para, gjatë
dhe pas procesit të zgjedhjeve" ka
përcaktuar një sërë detyrash për
strukturat e Policisë së Shtetit, të
cilat kanë si qëllim planifikimin,
kryerjen dhe kontrollin e zbatimit
të detyrave ligjore zgjedhore gjatë
gjithë fazave të këtij procesi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›