E Diel, 1 Nëntor 2026

PD prezanton departamentin e IA, Berisha: Teknologjia në shërbim të transparencës

TIRANË, 20 maj /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi gjatë prezantimit të departamentit të Inteligjencës Artificiale se PD do të jetë partia e parë në Shqipëri që do të përfitojë gjerësisht nga avantazhet e “urtësisë artificiale” në të gjitha fushat e veprimtarisë së saj politike dhe organizative.

Ai theksoi se qëllimi kryesor është përdorimi i teknologjisë në funksion të qytetarëve dhe rritjes së transparencës në qeverisje, duke e cilësuar mungesën e saj si një problem madhor në vend. Sipas tij, Shqipëria ndodhet në një situatë ku “transparenca pothuajse nuk ekziston”, investimet publike nuk përdoren me efikasitet. Në fjalën e tij Berisha gjithashtu u ndal tek niveli i ulët sipas tij, i edukimit digjital në vend.

“Ne sot jemi një vend ku transparenca pothuaj nuk ekziston. Jemi një vend ku mafia shtetërore dikton me forcë standardet e saj. Jemi një vend ku investimet publike, paratë e qytetarëve kanë shkallën më të ulët në botë të eficencës së përdorimit sepse vidhen masivisht. Jemi një vend i mbuluar nga falsiteti. Qeveria shpall se investon 10 përqind të PBB, e vërteta është se ajo 10 përqind as 4 përqind nuk është. Janë vite të humbura kur sheh se edukimi dixhital është më i ulëti në rajon, ndërkohë që ne ishim të parët që vendosëm internetin në çdo shkollë në rajon”, tha Berisha.

Në aspektin e vizionit politik, Berisha theksoi se PD synon të përdorë inteligjencën artificiale dhe teknologjitë moderne për të rritur transparencën, për të luftuar korrupsionin dhe për të përshpejtuar zhvillimin ekonomik dhe institucional të vendit. Ai nënvizoi se, megjithëse teknologjia është e rëndësishme, ajo nuk mund të zëvendësojë integritetin dhe përgjegjësinë njerëzore në qeverisje.

“Së pari vetë partia duhet të përjetojë të gjitha avantazhet e epokës së urtësisë artificiale. Së dyti dhe më e rëndësishmja, nesër në pushtet, ekipi ynë duhet të jetë i gatshëm për zbatimin, aplikimin, zhvillimin e të gjitha avantazheve të jashtëzakonshme që ka inteligjenca artificiale. Asgjë sot nuk ka garanton transparencën sa Blockchain.

“Në qoftë se ka një vend në Evropë dhe në botë që është i zhytur në mënyrë të tmerrshme në falsifikim, në gjërat më themelore, Shqipëria ka më të domosdoshme se kushdo tjetër. Në departament ka anëtarë të rinj, që nuk janë këtu, por janë jashtë vendit, që punojnë me sukses të madh në Blockchain, të gatshëm të kthehen në vendin e tyre dhe të japin kontribut në këtë fushë shumë të çmuar.

“Teknologjia e re dhe urtësia artificiale në veçanti ngjall debate. E vërteta është se debatet nuk janë të pabaza, sepse përdorimi i saj mbi bazën e rregullave të drejta, transparente, e shndërron atë në një mjet të dobishëm, në një mjet që promovon drejtësi sociale, promovon barazi, promovon transparencë në interes të të gjithë qytetarëve. Pa u ndalur pastaj në fushat e ndryshme. Përdorimi i saj në fushën e mësimdhënies, në fushën e ekonomisë, në fushën e shëndetësisë me aftësira të jashtëzakonshme në diagnozë për shkak të disponibilitetit që ka në miliona të dhëna. Është një mjet jashtëzakonisht i çmuar. Por, përsëri asgjë nuk zëvendëson përgjegjësinë e njeriut, asgjë nuk zëvendëson ndërgjegjen, moralin dhe dinjitetin e njeriut”, tha Berisha.

Në përfundim, kryetari i PD shprehu mbështetje për nismën e re dhe u shpreh optimist se PD do të udhëheqë në përdorimin e inteligjencës artificiale në Shqipëri.

/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›