E Enjte, 5 Nëntor 2026

PD prezanton programin e biznesit dhe anti-korrupsionit

Partia Demokratike prezantoi sot programin e biznesit dhe anti-korrupsionit. Lideri demokrat tha do të fokusohemi jo vetëm në biznesin e madh, që është një faktor i rëndësishëm i ekonomisë, por edhe tek biznesi i vogël dhe i mesëm që është motori i ekonomisë shqiptare “Ne do të vendosim një moratorium 12 muajsh, pra 1 vit të tërë, gjatë të cilit do të ndalohen gjobat nga organet lokale apo qendrore për bizneset dhe do të reformohet tërësisht sistemi i inspektimit. Ne do ta ulim dhe do ta kufizojmë me ligj edhe numrin e inspektimeve dhe kontrolleve ndaj bizneseve. Gjatë një viti nuk do të bëhen më shumë se 10% inspektime apo kontrolle te bizneseve. Kjo sipas shembullit dhe praktikave me më të mira europiane. Ne do të ulim në mënyrë drastike numrin aktual të gjithë licencave dhe lejeve që jepen sot nga shteti. Për këtë, ne do të aprovojmë me ligj një listë gjithëpërfshirëse të lejeve dhe licensave me qëllimin që asnjë ministër, asnjë zyrtar tjetër i pushtetit qendror opo lokal të mos mund të kërkojë apo të shtojë kërkesa të reja për biznesin. Unë angazhohem të përgjysmojmë afatet ligjore për çdo leje që kërkon vendimmarrje shtetërore, nga 60 ditë për lejet mjedisore të tipit A në vetëm 30 ditë e kështu me radhë. Ne do të fokusohemi jo vetëm në biznesin e madh, që është një faktor i rëndësishëm i ekonomisë, por edhe tek biznesi i vogël dhe i mesëm që është motori i ekonomisë shqiptare.”renditi në formë premtimi zoti Basha.
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha premtoi se në rast fitoreje në zgjedhje do të ketë prioritet edhe luftën kundër korrupsionit. Ai tregoi se do ta bëjë diçka të tillë duke bërë transparent çdo vendim qeverie. “Unë do të publikoj në 100 ditët e para të punës normën e taksave për 4 vite, për çdo biznes te huaj e vendas duke ofruar parashikueshmërinë fiskale që gjithë këto vite është shkelur me këmbë dhe ka larguar qindra investitorë dhe mijëra vende pune. Do të eliminoj çdo diskrecion dhe interpretim ligjesh nga zyrtaret e ministrat duke mbledhur legjislacionin fiskal në një Kod Tatimor të vetëm. Do të eliminoj çdo përjashtim nga ligjet, që sot janë bërë rregull dhe e ka çuar korrupsionin në Shqipëri në nivelin e kapjes së shtetit. Unë angazhohem të ngre Bordin e Transparencës Fiskale, një institucion i pavarur nga qeveria, me emërim nga Parlamenti, që do të monitorojë zbatimin e të gjitha politikave fiskale dhe kontrollin e shpenzimeve publike që sot kanë dalë jashtë kontrollit”, premtoi zoti Basha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›