PD protestë marshim në Tiranë, hidhet molotov dhe digjen koshat e mbeturinave

TIRANË, 28 shkurt /ATSH/ Partia Demokratike dhe aleatët e saj, zhvilluan sot protestën e pestë kombëtare, e treta brenda këtij muaji, e cila u zhvillua në formën e një marshimi qytetar dhe nuk pati një podium për fjalime nga eksponentë të Partisë Demokratike.
Një pjesë e protestuesve u grumbulluan fillimisht pranë selisë së Partisë Demokratike, nga ku, së bashku me kryetarin Sali Berisha dhe drejtues të tjerë të PD-së, marshuan drejt Bulevardit për t’iu bashkuar protestës.
Protestuesit u mblodhën fillimisht para Kryeministrisë dhe pas gati 30 minutash nga nisja e tubimit, ata u drejtuan drejt ambienteve të drejtorisë së Policisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në bulevardin “Bajram Curri”.
Gjatë rrugës, protestuesit hodhën koktej molotovë përgjatë marshimit dhe iu vendosën zjarrin koshave të mbeturinave, në kryqëzim me rrugën “Papa Gjon Pali II”, pas Piramidës, si dhe në kryqëzimin e rrugës së Elbasanit.
Pasi mbërritën në afërsi të drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, efektivët e policisë krijuan një kordon policor për të ndaluar protestuesit që të afrohen, gjë e cila shkaktoi tensione dhe përplasje fizike mes deputetëve të PD-së dhe policisë. Policia më pas ndërhyri me ujë dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit.
Pasi u larguan nga drejtoria e policisë, protestuesit marshuan përgjatë rrugëve të kryeqytetit duke hedhur molotov dhe djegur koshat e mbeturinave.
Protesta zgjati për më shumë se tre orë.
Protesta Kombëtare të PD, Foto: Florian Abazaj & Andrin Hoxha 1 nga 41/m.q/a.f/