E Hënë, 2 Nëntor 2026

PD protestë para Kryeministrisë, djegin tryezën e dialogut dhe u bashkohen studentëve te Ministria e Arsimit

TIRANË, 24 tetor /ATSH/ Partia Demokratike po zhvillon sot para Kryeministrisë një protestë kombëtare në mbështetje dhe solidaritet të studentëve dhe të rinjve që kanë protestuar ditët e fundit.

Anëtarë dhe simpatizantë të PD-së, të cilët kanë ardhur edhe nga qytete të ndryshme të vendit, janë mbledhur para Kryeministrisë, duke iu përgjigjur thirrjes së kryetarit të PD-së Sali Berisha për mbështetjen e studentëve. Marshimi i tyre u pri nga deputetët dhe drejtues të Partisë Demokratike, si Flamur Noka, Agron Gjekmarkaj, Ivi Kaso, Klevis Balliu ..etj.

Pas mbërritjes para Kryeministrisë, disa simpatizantë të PD-së, i vendosën flakën ulësve të jastëkëve të nxjerra para Kryeministrisë si ftesë simbolike nga kreu i qeverisë për “dialog” me studentët.

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, tha në një prononcim për mediet se “PD është forca politike që ka lindur nga protestat dhe kemi 13 vite që jemi në betejë dhe protestë të përditshme me këtë narkoregjim”.

Noka shtoi se “në 13 vite ne jemi denoncuar më të mëdhenj të çdo afere kriminale dhe korruptive të Edi Ramës. Jemi sot në këtë organizim për t’i dhënë një spunto më të madhe asaj proteste heroike të të rinjve dhe studentëve të këtij vendi”.

Noka tha se protesta e studentëve  “meriton mbështetje nga çdo qytetar shqiptar dhe ne po bëjmë atë që duhet. Meriton mbështetje sepse është një protestë që bëhet për të çliruar këtë vend nga kthetrat e mafies dhe narkoregjimit”.

Pasi qendruan për rreth dy orë tek Kryeministria, protestuesit e thirrur nga PD marshuan në drejtim të Ministrisë së Arsimit për t’iu bashkuar protestës së studentëve në orën 14:00.

1 nga 16

/m.q/ /a.g/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›