PD reagon pas deklaratës së gazetarit Konomi

TIRANË, 21 gusht /ATSH/ Partia Demokratike reagoi sot pas deklaratës së gazetarit Arjan Konomi, lidhur me një incident në Vuno ndërmjet tij dhe kryeministrit Edi Rama.
Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun në PD, Viola Kapidani e cilësoi ngjarjen si një akt “hakmarrjeje primitive” të kryeministrit Edi Rama ndaj gazetarit Konomi.
Sipas PD-së, incidenti nuk lidhet vetëm me videon që Konomi po regjistronte në momentin e përplasjes, por edhe me denoncimet e tij të mëparshme publike lidhur me çështjen e pronave në zonën e Vunoit.
“Duket qartazi se, shkaku i sulmit të Edi Ramës nuk është thjesht videoja që po bënte gazetari Konomi, por hakmarrja për denoncimet e herëpashershme të tij. Konomi, si personazh publik dhe si banor i Vunoit, ka denoncuar vazhdimisht atë që ai e konsideron si vjedhje të tokave nga vëllezërit Rama në këtë zonë, kryesisht në Gjipe dhe Skutara”, tha ajo.
PD dënoi atë që e cilësoi si “akt të shëmtuar” dhe kërkoi reagimin e organizatave që merren me mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe lirisë së shprehjes.
“Partia Demokratike dënon me forcë këtë akt të shëmtuar të çiftit kryeministror dhe kërkon reagimin e organizatave të të drejtave të njeriut dhe lirisë së shprehjes”, tha Kapidani.
/m.q/r.e/