PD sulmon krerët e Internacionales Socialiste: Janë humbës e dështakë, njësoj si Rama
Partia Demokratike ka sulmuar krerët e Internacionales Socialiste, të cilët kanë qenë shumë aktivë gjatë ditëve të fundit dhe kanë ndikuar në bashkimin e PS-së me LSI-së. Deputeti Gerti Bogdani ka thënë se ata, njësoj si Rama, janë veçse ca dështakë dhe humbës.
Javën që kaloi z.Rama telefonoi e solli në Tiranë shokët e tij humbës të Internacionales Socialiste, që kanë të njëjtin fat si ai, në një përpjekje te dëshpëruar për te shuar rebelimin që ka nisur ne partinë e tij dhe përpjekjen për të ardhur në pushtet me çdo kusht.
Ata që iu përgjigjen thirrjes se tij kanë të gjithë një gjë te përbashkët: Janë humbës!
Z. Papandreu, President i Internacionales Socialiste, mësuesi i pare dhe frymëzuesi i Edi Rames, u detyrua të lërë në mes mandatin e tij të kryeministrit të Greqisë në vitin 2011, për shkak te krizës ekonomike, ku u zhyt vendi i qeverisur prej tij.
Si pasojë e lidershipit të tij prej diletanti dështak, për herë të parë që nga krijimi, partia e madhe greke PASOK sot është katandisur me 12% të elektoratit grek në vendin e tretë.
Z.Stanishev, President i Partive Socialiste Europiane, humbi zgjedhjet në Bulgari ne vitin 2009. Një sërë skandalesh shoqëruan mandatin e tij si kryeministër.
Z.Pitela, Zv-president i Parlamentit Europian, përfaqësues i Partisë Demokratike në Itali, e cila qysh se u krijua si formacion i të majtëve në 2007, nuk ka ardhur ende në pushtet dhe po dështon edhe në këto zgjedhjet e fundit.
Z.Ayala është një apatrid i njohur në Internacionalen Socialiste, por askush nuk e mban mend se kur ai ka fituar një pale zgjedhje, ka thënë Bogdani gjatë një konference për shtyp.
Ai ka thënë se Rama ka një zakon të keq, pasi merr këshilla vetëm nga humbësit. Sipas Bogdanit, njerëzit brenda PS-së mezi po presin 23 qershorin, në mënyrë që ti japin duart Ramës dhe ta largojnë.
Z.Rama humbi zgjedhjet në vitin 2009, dhe humbi zgjedhjet ne vitin 2011. Ai humbi sepse qytetarët e refuzuan atë. Ai di vetëm të humbasë. Ai beson se i mbështetur nga humbësit e mëdhenj të rajonit do mund ti buzëqesh fitorja, por shqiptarët e dinë mirë se nga humbësit dhe humbja vetëm humbje vijnë.
Dihen botërisht arsyet pse Rama dhe shokët e tij janë humbës.
Sepse ata kanë të njëjtat ide dështake të së shkuarës, si rritja e taksave, pengimi i biznesit, rritja e papunësisë.
Humbësit që Rama ftoi janë braktisur nga qytetaret e tyre sepse ata kane refuzuar me kohë këto ide të rrezikshme, bashkë me ideatorët e tyre.
Ai i ftoi këto ditë për ta shpëtuar nga rebelimi i njerëzve të tij që deklarojnë se duan të shpëtojnë nga Rama, por nuk po e heqin dot dhe mezi presin 23 qershorin ti japin duart.
Edi Rama ka një zakon të vjetër; ai merr këshilla vetëm nga humbësit, lista e të cilëve është shumë e gjatë. Ndaj nuk është çudi që këshillat e tij tani të vijnë edhe nga Kuba apo Venezuela, ka përfunduar Bogdani./b.l
