PDI: Rama na vodhi mandatin e Fierit
Partia Socialiste dhe kryetari i saj, Edi Rama, ishin dje në qendër të sulmeve të Partisë për Drejtësi dhe Integrim. Kryetari Tahir Muhedini, gjatë një komunikimi me mediat akuzoi sërish Ramën se i ka grabitur mandatin e dytë të PDI-së në Qarkun e Fierit. Kryetari i PDI-së, Muhedini, tha se "Rama ka grabitur mandatin e dytë të PDI-së në Fier nëpërmjet bllokimit të zgjedhjeve në tri qendra votimi në Portëz, rrethimit të dhunshëm të vendit të numërimit të votave, si dhe kërcënimeve dhe shkeljeve flagrante në Qarkun e Fierit". Sipas kreut të PDI-së "këtë grabitje Rama e ka kryer edhe me ndihmën e Kolegjit Zgjedhor, i cili, ashtu si edhe më 2007-n, u gjunjëzua nga presioni politik i Partisë Socialiste dhe nga deklaratat e kryetarit të saj". Kryetari i PDI-së, Muhedini, theksoi më tej se "ankimimi në Kolegjin Zgjedhor ishte shpresa e fundit për drejtësi për mijëra votues që votuan PDI-në, por ky Kolegj legalizoi vjedhjen kriminale të fituar me vota të lira nga ne". Gjithashtu, ai ka siguruar mbështetësit e kësaj force politike se ata "nuk do të ndalen asnjëherë së denoncuari këtë grabitje të votës së lirë të qytetarëve". Partia për Drejtësi dhe Integrim në zgjedhjet e 28 qershorit ishte pjesë e koalicionit "Aleanca e Ndryshimit" në sajë të një marrëveshje parazgjedhore me Partinë Demokratike. Në këto zgjedhje, PDI-ja është cilësuar si partia surprizë e këtyre zgjedhjeve, sepse arriti të përfitojë një mandat në Qarkun e Vlorës, ndërsa për shumë pak vota nuk arriti të merrte mandatin e dytë në Fier. Mandat i cili për PDI-në është marrë nga opozita me anë të presionit politik. PDI-ja, e cila njihet si Partia e Komunitetit Çam në Shqipëri do të përfaqësohet tashmë me deputetin e saj në Kuvendin shqiptar. Kreu i kësaj force politike, Muhedini ka bërë të ditur se nga PD-ja, parti në të cilën ata janë në koalicion do të kërkojnë që të përfaqësohen në komisionin e përhershëm parlamentar të Brukselit me qëllim që deputeti i tyre të ngrejë për diskutim në BE çështjen çame.