PS: BE kërkon një qeverisje të mirë, jo kombinime numerike
Kandidati për deputet i Partisë Socialiste në Qarkun e Tiranës, Ditmir Bushati, deklaroi se Bashkimi Europian dhe procesi integrues kërkon një qeverisje të mirë dhe jo thjesht qeveri që mund të formohen si kombinime numerike në themel të të cilës qëndron përcaktimi i sinoreve të pushtetit. Duke iu referuar shtyrjes që i bëri BE shqyrtimit të kërkesës së Shqipërisë për statusin e kandidatit, Bushati thotë se "nuk është e udhës të hiqen paralele mes aplikimit të Islandës dhe Shqipërisë, pasi kemi të bëjmë me dy shtete që mbartin në vetvete histori të ndryshme marrëdhëniesh me BE, por edhe stad të ndryshëm të zhvillimit politik, ekonomik e shoqëror". Sipas tij, Islanda është një vend me demokraci dhe institucione të konsoliduara, ndaj dhe BE aplikon mekanizma më të shpejtë shqyrtimi. Ndërsa, sqaroi ai, Shqipëria vazhdon të vuajë nga problemet ekzistenciale që përbëjnë thelbin e demokracisë, të cilat për fat të keq u demonstruan edhe në zgjedhjet e 28 qershorit. "Vendet anëtare të BE-së dhe Komisionit Europian janë treguar luajale me aplikimin e Shqipërisë kur e kanë kushtëzuar atë me mbarëvajtjen e zgjedhjeve të 28 qershorit", tha Bushati. Ndaj, sipas tij, do të ishte e pamundur për vendet anëtare të BE që nga njëra anë deklaruan para pak ditësh në Tiranë së bashku me SHBA-të domosdoshmërinë e administrimit të procesit zgjedhor në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe krijimin e një qeverie legjitime dhe nga ana tjetër t‘i hapnin dritën jeshile shqyrtimit të aplikimit të Shqipërisë. Bushati konstaton se historia e procesit të liberalizimit të vizave është një histori e hidhur ku kombinohen dështimi spektakolar i qeverisë "Berisha" në përmbushjen e reformave që kanë të bëjnë me zgjedhjet e lira e të ndershme, pajisjen e qytetarëve shqiptarë me karta identiteti e pasaporta biometrike, menaxhimin e integruar të kufijve, korrupsionin e krimin e organizuar, të drejtat dhe liritë themelore të njeriut me mashtrimet elektorale të trumbetuara për data e vite që kanë ndryshuar që nga 2006 në varësi të stinës se kur shqiptarët do të përfitonin nga regjimi i vizave. "Madje, në vend të një plani veprimi konkret ende vazhdohet me deklarime të papërgjegjshme dhe kontradiktore. Por qeveria "Berisha" duhet të pranojë publikisht edhe dështimin në lëmin diplomatik, pasi mos-heqja e regjimit të vizave do të rrisë natyrshëm hendekun e vendit tonë me Maqedoninë, Serbinë e Malin e Zi", u shpreh Bushati. Të mos harrojmë, tha ai, se procesi i liberalizimit të vizave ishte një proces që iu ofrua të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor në bllok. "Sikurse mospërfshirja e Kosovës në procesin e liberalizimit të vizave është një kambanë alarmi e cila do të duhej të administrohej në mënyrë të mençur nga qeveria e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës përmes një strategjie të qartë bashkërenduese", nënvizoi Bushati.