E Diel, 1 Nëntor 2026

PDIU: Kriza politike të zgjidhet para vizitës së Klintonit

Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet ka kërkuar zgjidhjen e krizës politike në vend dhe përmbushjen e krietereve të kërkuara nga KE-ja për marrjen e statusit përpara vizitës së sekretares amerikane të shtetit Hilari Klinton.
 

Në një deklaratë për shtyp, PDIU-ja i ka bërë apel presidentit Bujar Nishani të thërrasë në një tryezë partitë politike parlamentare ku të diskutohet zgjidhja e krizës politike.

“Ne i kërkojmë Presidentit të Republikës që sa më shpejt, të thërrasë një tryezë politike të partive kryesore parlamentare, apo të gjithë subjekteve politike që kanë rol në zgjidhjen e krizës parlamentare nga ku duhet të dilet me një vendim të vetëm: miratimin e ligjeve që na kërkohen me shumicë të cilësuar. Tryeza le të vendosë gjithashtu për një zgjidhje të problemeve që shtron opozita. Ligjet e integrimit dhe problemet e opozitës mund të shtrohen në atë tryezë, por duhet të zgjidhen veç e veç” thekson PDIU-ja.
 

Sipas PDIU-së është e paimagjinueshme që shteti dhe klasa politike të presë  një mysafire kaq të rrallë, siç është sekretarja Klinton me lajmet e krizës sonë politike.
 

“Klasa jonë politike do të ketë beteja të tjera ku mund të ndahet dhe të tregojë dallimet e veta. Sot është koha për kapërcim të krizës politike. Popujt dhe shtetet seriozë në emër të objektivave kombëtarë i kapërcejnë dallimet dhe i tregojnë botës atë çfarë kanë të përbashkët. Shqiptari di t`i presë miqtë e rrallë ashtu si ata e meritojnë. PDIU-ja si parti e patriotizmit modern kombëtar, që e sheh objektivin e integrimit si nivelin më të lartë të mbrojtjes së interesit tonë kombëtar sot, bën thirrje partive politike, institucionit të Presidentit që sa më parë të gjejmë rrugën për zgjidhjen e atyre detyrimeve që janë kusht për marrjen e ftesës për statusin e vendit kandidat nga Bashkimi Europian” thekson më tej PDIU.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›