PDIU: PS-PD, bashkë për të mundur Bollanon në Himarë
Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet i ka bërë thirrje PD-së dhe PS-së të mbështesin një kandidat të vetëm në Himarë, me qëllim maksimizimin e votave për të mundur Vasil Bollanon. Sekretari politik i kësaj partie, Ardian Tana, reagoi përmes një konference për shtyp lidhur me parullat e shkruara në muret e qytetit të Himarës dhe rrugës nacionale kundër çamëve. “Ne i bëjmë thirrje forcave politike në Himarë, që të distancohen dhe të kundërpërgjigjen ndaj këtyre provokimeve. Ne i bëjmë thirrje dy forcave të mëdha politike, që të mbështesin një kandidat të përbashkët në Himarë. Asnjëherë nuk është vonë për të vendosur në vend dinjitetin kombëtar. Ka ardhur çasti që të ulen flamujt e partive dhe të ngrihet lart flamuri kombëtar”, u shpreh Tana. Sipas tij, “Parullat e shkruara në mes të natës, nuk janë provokimi i parë që i bëhet këtij vendi, ndaj ne kërkojmë me forcë reagimin e institucioneve shtetërore, duke nisur nga Prokuroria, që të vendosin përpara drejtësisë autorët e këtyre akteve që provokojnë urrejtje dhe dhunë ndaj shqiptarëve. Himara, kjo tokë kreshnike shqiptare, si një qendër e rëndësishme e historisë sonë kombëtare, nuk urren askënd”. Ai akuzoi kreun aktual të Bashkisë së Himarës, Vasil Bollanon, se e ka shndërruar këtë qytet në një terren eksperimental. “Himara me standardet e larta intelektuale, prej vitesh është shndërruar në një terren eksperimental, të drejtuar nga Vasil Bollano, nëpërmjet individëve të paguar, që provokojnë ndjenjat e shqiptarëve”, tha sekretari politik i PDIU-së.
Kolegji, sot 3 kërkesa të PS
Kolegji Zgjedhor do të shqyrtojë sot tre kërkesa të Partisë Socialiste që kanë të bëjnë me fletën e votimit për kandidatët dhe këshilltarët e Bashkisë së Tiranës. Në mbledhjen e djeshme Kolegji shtyu për sot një prej kërkesave të PS-së, me kërkesë të Komisonit Qendror të Zgjedhjeve, i cili nuk kishte pasur kohë të mjaftueshme për tu njohur me materialet e seancës. PS-ja kërkon që në fletën e votimit për kandidatët, në krah të emrit të Edi Ramës, të renditen edhe inicialet e të gjitha partive që janë në koalicion me këtë forcë politike. KQZ-ja e rrëzoi këtë kërkesë me argumentimin se PS-ja kishte përcaktuar si germa nistore të saj AA (Aleanca për të Ardhmen). Gjithashtu PS-ja ka kërkuar që në fletën e votimit për këshilltarët, koalicioni i majtë të jetë në krye të fletës.