E Shtunë, 31 Tetor 2026

ODIHR: Fushatë e polarizuar me incidente

Misioni i OSBE/ODIHR-it publikoi dje raportin parazgjedhor të 8 majit. Në raport, i cili vëzhgon periudhën 27 mars – 11 prill 2011, evidentohet situata e tensionuar zgjedhore dhe incidentet e krijuara për shkak të tyre.”Që nga zgjedhjet e 2009-s, mjedisi politik ka vazhduar të jetë shumë i polarizuar, me një retorikë të ashpër dhe sulme personale, si edhe demonstrata nga ana e opozitës. Tensioni u rrit menjëherë pas një proteste antiqeveritare të organizuar nga PS-ja në Tiranë, më 21 Janar 2011, ku pati përleshje të ashpra ndërmjet protestuesve dhe forcave të sigurisë. Katër persona u vranë dhe shumë të tjerë u plagosën. Parlamenti nisi një hetim, ndërsa Prokurorja e Përgjithshme nisi një hetim të veçantë për gjuajtjen me armë. Këto hetime, që ndezën edhe më shumë kundërshtitë politike, nuk kanë përfunduar ende. Presidenti u ka bërë thirrje të gjitha partive të sillen në mënyrë të përgjegjshme dhe të veprojnë në përputhje me ligjin”, evidenton raporti. Duke sjellë në vëmendje incidentet e fushatës, raporti jep dhe rastet e konfrontimeve. “Sipas Policisë, ngjarja në Tiranë ishte e motivuar politikisht, ndërsa ajo e Lezhës s’kishte lidhje me politikën. Më 4 prill, kreu i Zyrës së Inspektimit të Ndërtimeve në Bashkinë e Tiranës u qëllua me armë dhe u plagos. Një ditë më parë ai kishte urdhëruar heqjen e banerave politike në vende të pautorizuara. Hetimet vazhdojnë. Vendosja e materialeve të fushatës siç janë flamujt dhe banerat ka çuar në grindje në disa raste”, thuhet në raport. Në kapitullin e Kodit Zgjedhor, raporti vëren se në këto zgjedhje forcat politike po hyjnë pa përmirësimet e nevojshme të tij, duke sjellë dhe boshllëqe. “Kodi Zgjedhor ka një numër boshllëqesh dhe paqartësish në lidhje me zgjedhjet për qeverisjen vendore. Për shembull, ai nuk shprehet qartë nëse ka një prag minimal në lidhje me përfaqësimin në këshillat vendore, dispozitat për financimin e fushatës me fonde publike nuk gjejnë zbatim të plotë për zgjedhjet vendore, dhe nuk ka dispozitë lidhur me regjistrimin e kandidatëve për Bashkinë e Tiranës, pasi ligji nuk specifikon një organ kompetent për administrimin e zgjedhjeve”, shprehet raporti. Duke iu referuar listës së zgjedhësve, raporti i OSBE/ODIHR-it flet për një sistem pasiv për regjistrimin e tyre. “Sa i takon listës paraprake të zgjedhësve të nxjerrë në tetor 2010, Partia Socialiste paraqiti shqetësimet e saj për shtime të paligjshme votuesish në regjistrat civilë, njësitë bashkiake, përfshirë zonat elektorale të Tiranës të kontrolluara nga PD-ja dhe LSI-ja, me qëllimin për të ndryshuar ekuilibrin politik në këto zona. Partia Socialiste kërkoi përdit-ësime të rregullta të listës paraprake të zgjedhësve, të reflektonin ndryshimet në statusin e regjistrimit të votuesve dhe këto të ishin të vlefshme për të. Kjo u kundërshtua nga Ministria e Brendshme, e cila tha se Kodi Zgjedhor garanton që partitë do të marrin ‘Listën paraprake dhe atë finale’, thuhet në raportin e parë para zgjedhjeve të OSBE/ODIHR-it.

Bordi i Monitorimit

Në raport vlerëson ngritjen e Bordit të Monitorimit të Medias sipas Kodit Zgjedhor. “Më 28 mars, KQZ-ja ngriti Bordin për Monitorimin e Mediave, që ka për detyrë të monitorojë përmbushjen e dispozitave të Kodit Zgjedhor për median. Vetëm katër nga shtatë anëtarët e tij u caktuan fillimisht, për shkak të mungesës së anëtarëve të KQZ-së të
emëruar nga opozita. Më pas edhe anëtarët e propozuar nga opozita iu bashkangjitën
këtij bordi”, thuhet në raport.

ARISTIR LUMEZI

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›