E Shtunë, 31 Tetor 2026

PDIU dorëzon nesër në Kuvend rezolutën për çështjen Çame

09-12-2012 / Gazeta 55

Deputetët e Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet Shpëtim Idrizi dhe Dashamir Tahiri ndërmarrin nismë ligjore për zgjidhjen e çështjes çame, duke iu drejtuar Kuvendit të Shqipërisë më një rezolutë përkatëse e përbërë nga 13 pika. Iniciativa e paralajmëruar prej kohësh dhe e kërkuar për shumë vite nga shoqata të shumta çame, konkretizohet këtë të hënë me këtë iniciative ligjore e cila parashikon që te jepet një qëndrim zyrtar nga pala shqiptare për gjenocidin çam.

Rezoluta e cila përbëhet nga 13 pika  thekson në mënyrë të veçantë shfuqizimin e ligjit grek të luftës i shpallur me dekret mbretëror në vitin 1940 akoma në fuqi, njohjen e të drejtës së riatdhesimit, njohjen e statusit të minoritetit etnik etj.

Rezoluta për zgjidhjen e  çështjes çame vjen në kohën kur Shqipëria  kremton 100- vjetorin e pavarësisë. Në kuadër të këtij momenti histori iniciatorët e hartimit  të rezolutës thonë se 100- vjetori i shtetit shqiptar, bën që të shfaqet një vetëdije e re kombëtare të qytetarëve për fatet e kombit.

Për këtë arsye shprehen deputetët e PDIU-së parlamentarët shqiptarë duhet që në lartësinë e misionit historik, të ofrojnë një zgjidhje për çështjen çame, si çështja më e rëndësishme e pazgjidhur në plotësinë e çështjes shqiptare në Ballkan.

Rezolutë mbi zgjidhjen e çështjes Çame

Kuvendi i Republikës së Shqipërisë,

I orientuar përherë nga qëllimet e larta të ruajtjes së paqes, stabilitetit dhe sigurisë në rajon;

Duke vlerësuar marrëdhëniet miqësore ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë;

Duke mbështetur dhe inkurajuar rritjen e bashkëpunimit në të gjitha fushat midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë si dy vende fqinje dhe aleate në strukturat euroatlantike;

Duke shprehur mirënjohjen për luftën e përbashkët antifashiste të popullit shqiptar dhe popullit grek, e në veçanti të shqiptarëve çamë, themelues dhe të inkuadruar në Ushtrinë Çlirimtare Greke (ELAS) dhe në Ushtrinë Antifashiste Nacional Çlirimtare (UANÇ)

Nisur nga fakti se populli shqiptar, dhe asnjë shtet sovran shqiptar nuk e ka sulmuar popullin dhe shtetin grek gjatë Luftës së Dytë Botërore;

I bindur se edhe Populli Grek, Parlamenti dhe Qeveria e Republikës së Greqisë vlerësojnë lart marrëdhëniet e mira ekzistuese midis dy vendeve tona, dhe nevojën për përmirësim të pandërprerë të tyre,që nënkupton dhe zgjidhjen përfundimtare të çështjeve të mbetura pezull nga e kaluara e afërt;

I bindur se me vullnet të mirë të të dy palëve, ekzistojnë hapësirat e mundshme të negocimit dhe mund të gjenden instrumentet e nevojshëm për konsolidimin e mirëkuptimit nëpërmjet drejtësisë në zgjidhjen e çështjes çame, në interes thelbësor të të dy vendeve e popujve tanë;

Në bazë të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë;

Duke marrë parasysh qëllimet dhe parimet e larta të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore, të parimit të mos ndëshkueshmërisë kolektive, si dhe të akteve ndërkombëtare më të rëndësishme në lidhje me to;

Duke marrë në konsideratë Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut, në veçanti neneve 1.2.6, 9, 13, dhe 15; Rezolutën 4780 të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara mbi « “Spastrimin etnik” dhe urrejtjen raciale »; Nenin 1 të Protokollit shtesë nr. 1 të Konventës Evropiane për Liritë dhe të drejtat e njeriut ;

Mbështetur në ligjin 7839, të datës 30.06.1994, “Për shpalljen e datës 27 qershor në kalendarin kombëtar si dita përkujtimore e gjenocidit të shovinistëve grekë ndaj shqiptarëve të Çamërisë”, shpallur me dekretin e Presidentit nr.885, datë 12.7.1994.

Nën frymën e Traktatit të Miqësisë, Bashkëpunimit, Fqinjësisë së Mirë dhe Sigurisë ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës Greke (këtu e më poshtë Traktati i Miqësisë);

Duke vlerësuar se fryma e nenit 15 dhe gjithë teksti i Traktatit të Miqësisë,  midis dy vendeve, fryma e akteve ndërkombëtare të lartcituara, imponojnë heqjen e pengesave për restaurimin e të drejtave të shqiptarëve në Republikën e Greqisë nëpërmjet një kuadri ligjor adekuat për gjithë komunitetin e cenuar dhe jo nëpërmjet rrugëve individuale gjyqësore,

1.  Njeh, mbështet, dhe angazhohet për nevojën e restaurimit të të gjithë të drejtave të shqiptarëve çamë, dikur nënshtetas grekë, në përputhje me rrethanat e reja, sipas parimeve të legjislacionit ndërkombëtar mbi gjenocidin, spastrimin etnik, procesin e rregullt ligjor, mosdiskriminimin mbi bazë të kombësisë, e parimet e tjera të ndërlidhura me to si dhe frymën e Traktatit të miqësisë midis dy vendeve.

2.  Kërkon  rivendosjen e të drejtave themelore të shtetasve shqiptarë, ish shtetas grekë, që përfshin rikthimin e pronave, njohjen e të drejtës së riatdhesimit, njohjen e të drejtës së rimarrjes së shtetësisë, dhe të të drejtave të tjera të pakicave kombëtare.

3.  Kërkon shfuqizimin shprehimisht të Ligjit grek të Luftës nr. 2636 dhe 2637/1940i shpallur me dekret mbretëror në vitin 1940 akoma në fuqi, në veçanti pjesën e ligjit që mban sekuestron konservative të pasurive shqiptare,

4.  Kërkon shtrirjen e efekteve të ligjit grek 1540/1985 “për rregullimin e refugjatëve”, tek të gjithë shtetasit grekë të larguar si pasojë e konfliktit civil, pa diskriminim kombësinë e tyre, ligj që bie në kundërshtim me shumë akte ndërkombëtare, për mosdiskrimimin mbi bazë kombësie, race, feje, etj;

5.  Kërkon nga qeveria e Republikës së Shqipërisë, që së bashku me Qeverinë e Republikës së Greqisë, të riaktivizojë Komisionet e Posaçme Dypalëshe, të sanksionuara në Traktatin e Miqësisë, të shqyrtojnë çështjen, të njohin përmasat e saj, të përpunojnë zgjidhjet e duhura në këtë drejtim;

6.  Ngarkon  Ministrinë e Punëve të Jashtme që të mbrojë të drejtat e shqiptarëve, të pa-dëbuar nga trojet e tyre amtare dhe të kërkojë njohjen e statusit të minoritetit etnik për ata;

7.  Kërkon ngritjen në Paramithi dhe Filat, të dy lapidarëve, që do të përkujtojnë gratë, pleqtë, e fëmijët, viktima të pafajshme të krimeve kryera nga njësitë paramilitare greke.

8.  Kërkon mundësinë e ngritjes apo përkujdesjes për varrezat e çamëve, ish qytetarëve grekë, të vrarë gjatë gjenocidit grek;

9.  Ngarkon Ministrinë e Arsimit dhe të Shkencës që të pasqyrojë, në mënyrë të përshtatshme dhe në proporcionalitet, historinë e kësaj pjese të popullsisë shqiptare në tekstet shkollore;

10. Ngarkon Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe sporteve që, në kuadër të marrëveshjeve dypalëshe me ministrinë homologe të Republikës së Greqisë, të promovojë vlerat kulturore të tyre dhe objektet kulturore që gjenden jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë si dhe Ministrisë së Arsimit dhe të shkencës t’i kërkojë Ministrisë homologe të nxisë heqjen në tekstet greke të referimeve fyese dhe diskriminuese ndaj popullsisë çame;

11.  Ngarkon Qeverinë shqiptare, që në përputhje me këtë Rezolutë, t’i shprehë palës greke në kontaktet diplomatike qëndrimin e Republikës së Shqipërisë në lidhje me këtë problem;

12.  Ngarkon Ministrinë e Punëve të Jashtme që këtë Rezolutë t’ua bëjë të njohur qeverive dhe parlamenteve të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian dhe NATO-s, dhe institucioneve ndërkombëtare ku Shqipëria është anëtare.

13.  I rezervon vetes të drejtën që në rast reagimi refuzues të palës greke, për ta konsideruar problemin në dritën e akteve ndërkombëtare mbi diskriminimin, lëvizjen e lirë, të drejtat themelore të njeriut në përgjithësi, ta paraqesë çështjen në instancat ndërkombëtare adekuate.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›