PDIU leter deputeteve te Kuvendit per rezoluten came
Partia Drejtësi Integrim dhe Unitet i drejtoi sot një letër Kuvendit të Shqipërisë ku kërkoi mbështetjen i ligjvënësve për votimin e rezolutës për çështje çame.
“I drejtohem kurajës njerëzore të çdokujt që është pjesëtar i Kuvendit të Shqipërisë, pavarësisht se cilin qark përfaqëson, në Jug apo në Veri, në Lindje apo në Perëndim, i majtë ose i djathtë qoftë. Ndaj ju ftoj të nderuar kolegë që NE të gjithë ta votojmë këtë rezolutë. Ta votojmë të gjithë si individë të lirë, si deputetë dinjitozë dhe jo si anëtar të njërit krah apo tjetrit. Do të ishte jo e drejtë dhe jo dinjitoze që dikush mes nesh të na kthente krahët”, theksohet në letrën që kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi i drejtoi Kuvendi.
Njëkohësisht, në letrën e saj, PDIU kërkoi nga kryetarët e partive, që në shqyrtimin e kësaj rezolute të mos japin direktivë politike për të orientuar votimin.
“Unë uroj që ata këtë herë t’i lenë të lirë deputetët që të dëgjojnë zërin e arsyes kombëtare, të amanetit të një popullsie martire si ajo çame. Një popullsi që tentuan ta shkulin nga rrënjët, por që mbijeton falë ndjenjës së fortë të përkatësisë. Nëse do japin direktiva politike për votimin, atëherë do politizojnë një votë, që duhet të jetë votë e konsensusit dhe votë e bashkimit. Do të vlerësoja dhe mirëprisja kontributin e çdonjërit prej Jush, për ta përmirësuar dhe pasuruar këtë rezolutë, që ajo të jetë një produkt i yni, dëshmi vullneti, kurajoje e përbashkimit të parlamentit tonë”, shprehet Idrizi.