E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mjedisi nje nder prioritetet e punes per Bashkine e Tiranes

Mjedisi është një ndër prioritetet e punës, për Bashkinë e Tiranës. Një task - forcë e ngritur nga Kryebashkiaku Lulzim Basha kontrollon 24 orë territorin e  kryeqytetit, për të parandaluar hedhjen e mbetjeve. Zëvendëskryetarja e Bashkisë së Tiranës,  Jorida Tabaku tha sot, në takimin e organizuar me Shoqatën e Korpusit të Vullnetarëve, se vetëm gjate tre muajve të fundit, janë vendosur 23 gjoba kundrejt subjekteve që hedhin mbetje në vende publike dhe rreth 120 gjoba, të cilat arrijnë deri në maksimumin prej 20 mijë lekësh të reja, për biznese dhe qytetarë që ndotin ambientet e përbashkëta.
“Përsa i përket periudhës shtator-tetor-nëntor, kemi pasur rreth 23 ankesa që kanë ardhur kryesisht nga qytetarë për vend-depozitime të pakontrolluara, të cilat Bashkia e Tiranës i ka marrë shumë seriozisht dhe për secilën prej këtyre ankesave ka pasur masa konkrete. Strukturat përkatëse të Bashkisë së Tiranës, Agjencia për Mbrojtjen e Konsumatorit, Policia Bashkiake, Inspektoriati, kanë kryer ndërhyrje konkrete, për pastrimin e mjediseve publike, për shembull pranë ekspozitës “Shqipëria Sot”, në fund të vitit të kaluar ose aksionin  e vazhdueshëm gjatë një viti e gjysmë, për të gjithë vend-depozitimet e pakontrolluara në qytetin e Tiranës. Agjencia për Mbrojtjen e Konsumatorit, strukturë e cila e ka këtë si detyrë funksionale, në bashkëpunim me Policinë Bashkiake është marrë në mënyrë të vazhdueshme me të gjithë ankesat ndaj bizneseve, ndaj qytetarëve sa i përket ndotjes së ambienteve të përbashkëta dhe vetëm në këtë periudhë të fundit, janë vendosur rreth 120 gjoba të cilat arrijnë deri në maksimumin prej 20 mijë lekësh të reja” – theksoi znj. Tabaku.
Tabaku kërkoi të rishikohet legjislacioni, me qëllim rritjen e nivelit të gjobave, për hedhjen e mbetjeve të ngurta, në ambiente publike. 
“Unë besoj se bashkarisht, ne mund të përcaktojmë një klasifikim, sa i përket nivelit të ndotjes së mjedisit dhe të propozohen  nivele të ndryshme gjobash, për shembull, vend-depozitimet e pakontrolluara kanë një ndikim më të madh në mjedis, se sa ndotja e mjedisit që mund të shkaktohet nga qytetarët. Për këtë arsye, kjo është një fushë të cilën mund ta eksplorojmë së bashku dhe ne jemi të gatshëm të ofrojmë ekspertizën tonë, duke pasur parasysh raste, që ne kemi ndeshur gjatë aktivitetit tonë të përditshëm. Bashkia e Tiranës po  merr masa, sa i përket menaxhimit të integruar të mbetjeve. Në vend-grumbullimet e mbetjeve, ne propozojmë një vend-grumbullim të diferencuar dhe në bashkëpunim me Organizatën Ndërkombëtare Financiare, ne do të përgatisim edhe planin e biznesit dhe termat konçensionarë, për ta parë të integruar të gjithë procesin e menaxhimit të mbetjeve, që nga grumbullimi e deri në depozitimin dhe trajtimin e tyre, sigurisht me objektiv kryesor, shërbimin sa më të mirë ndaj qytetarëve, eliminimin dhe minimizimin e të gjithë ndotjeve në mjedis nga njëra anë por nga ana tjetër edhe krijimin e një sistemi të integruar, për të ofruar një shërbim sa më të mirë”, bëri me dije ajo.
Nga ana e tij, Drejtori i Policisë Bashkiake z. Vullnet Topalli, ndërsa u ka bërë thirrje qytetarëve, të jenë më aktivë në denoncimin e rasteve, kur konstatohet ndotje në mjedis, garantoi se qyteti monitorohet gjatë 24 orëve nga task - forca e ngritur për këtë qëllim.
“Nën drejtimin e Kryebashkiakut kemi krijuar një task-forcë  e cila kontrollon çdo ditë, cep më cep të Tiranës, çdo natë, gjatë gjithë kohës, subjekte të ndryshme që tentojnë të ndotin ambientin, qytetin, rrugët, trotuarët, të ndotin lumin e Tiranës dhe ndaj këtyre subjekteve janë marrë masa, ku gjobat kanë variuar, qoftë nga Policia Bashkiake, rastet kur i takon asaj dhe në rastet e tjera ka ndërhyrë edhe Inspektoriati i mjedisit” – u shpreh z. Topalli.  

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›